40 qytete

Bota nuk di asgjë për to — çfarë sekretesh fshihen në qytetet e mbyllura të Rusisë?

Në Rusi mund të ketë aktualisht deri në 40 qytete të mbyllura, ku jetojnë rreth 1.5 milionë banorë. Qytetet e mbyllura, janë pjesë e trashëgimisë sovjetike. Kur Bashkimi Sovjetik aspironte të rivalizonte ushtarakisht SHBA-në, në vendin komunist u ngritën shumë qytete të mbyllura.

Aty u zhvilluan kërkime, u zhvilluan armë dhe teknologji sekrete ushtarake. Këto qytete nuk figuronin në harta, dhe ekzistenca e tyre u mbajt sekret si ndaj qytetarëve të tjerë sovjetikë, ashtu edhe të huajve. Banorët e tyre punonin në fabrika sekrete, dhe asnjeri nuk mund të dilte apo hynte në këto qytete sekrete pa një leje të posaçme.

Në këmbim, qeveria u siguroi këtyre njerëzve apartamente, punë të garantuar, ushqime dhe një shërbim shëndetësor më cilësor. Edhe sot, gati 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia ka një numër qytetesh sekrete brenda kufijve të saj. Ja cilat janë 5 prej tyre.

Në këmbim, qeveria u siguroi këtyre njerëzve apartamente, punë të garantuar, ushqime dhe një shërbim shëndetësor më cilësor. Edhe sot, gati 30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia ka një numër qytetesh sekrete brenda kufijve të saj. Ja cilat janë 5 prej tyre.

Norilsk

Ndodhet në veri të Rrethit Arktik, dhe është një qendër minierare industriale, e themeluar që në vitet 1920, kur qeveria sovjetike vendosi të eksplorojë dhe shfrytëzojë burimet e pasura minerale të rajonit. Të burgosurit e gulagëve, u detyruan të ndërtojnë shumicën e uzinave dhe fabrikave në Norilsk.

Shumë nga ata vdiqën për shkak të klimës së ashpër, dhe kushteve të vështira të punës. Por me gjithë rëndësinë e tij strategjike, Norilsku nuk ishte një qytet i mbyllur deri në vitin 2011, kur qeveria ruse vendosi ta klasifikojë si të tillë. Në njoftimin zyrtar, u tha se statusi i ri i qytetit synonte përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët, që tashmë do të kishin përfitime sociale shtesë.

Por kur statusi i ri hyri në fuqi, ai kufizoi ndërkohë edhe hyrjen e të huajve. Për të hyrë në një nga qytetet më të ndotura sot në botë, çdo i huaj, përfshirë gazetarët, duhet të aplikojë fillimisht për një leje speciale, duke mos pasur asnjë garanci për marrjen e saj.

Zheleznogorsk

Fillimisht i njohur si Krasnojarsk 26, ky qytet i mbyllur u themelua në vitin 1950, si një vend ku prodhohej plutonium për armët bërthamore. Gjithashtu, aty kryen hulumtime dhe zhvillohen sistemet hapësinore, përfshirë programin e famshëm GLONASS – një alternative ruse ndaj GPS së prodhuar nga Amerika.

Disa burime thonë se qyteti ka vendstrehime bërthamore, të ndërtuara brenda shpellave në malet që rrethojnë zonën, të dizenjuara për t’i bërë ballë një sulmi bërthamor. Një legjendë e zonës, thotë se ndërsa shërbimet e huaja të inteligjencës dështuan të depërtojnë në qytet, një banor vendas ia doli të vjedhë një sasi plutoniumi nga fabrika sekrete.

Ai e ruante atë në shtëpinë e tij në një kavanoz të thjeshtë qelqi. Kur u zbulua nga autoritetet, ai u justifikua se qëllimi i tij i vetëm, ishte të helmonte vjehrrën e vet, që sipas tij fuste shpesh hundët në punët e familjes.

Znamensk (Kapustin Jar)

Ky qytet është i mbyllur për një arsye të thjeshtë:është vendbanimi kryesor pranë Kapustin Jar, një bazë sekrete ku zhvillohen edhe eksperimentohet me raketat ruse në Rajonin Astrakhan. Baza u ndërtua në fund të viteve 1940, dhe u përdor për testimin e raketave balistike sovjetike, para se të shndërrohej në një kozmodrom në vitin 1962 për lëshimin e satelitëve të vegjël për qëllime kërkimore shkencore.

Fshehtësia e aktiviteteve, shkaktoi lindjen e thashethemeve të vazhdueshme në lidhje me shfaqjen e UFO-ve në këtë zonë. Disa madje pohojnë se në vitet 1950, në këtë zonë u rrëzua një UFO, duke e krahasuar Znamenskun me incidentin e famshëm dhe të diskutueshëm të Rozuellit në SHBA.

Sarov

Në Rusinë Cariste, Sarov njihej si një vend i shenjtë. Aty ndodhet një manastir i lashtë, i ndërtuar pranë lumit Sarov, prej nga e mori edhe emrin qyteti. Pas Revolucionit Bolshevik, Sarov u shndërrua në një nga vendet më sekrete dhe strategjike të Bashkimin Sovjetik.

Pikërisht aty fizikanti sovjetik Igor Kurçatov, ndërtoi bombën e parë atomike sovjetike,

e njohur edhe si RDS-1. Në atë kohë, Sarov u zhduk nga të gjitha hartat, dhe askush nuk lejohej të hynte apo dilte nga qyteti pa një leje speciale, gjë e cila nuk mund të merrej nga kushdo, por vetëm nga pjesëtarët dhe punonjësit në projektin sekret. Sot Sarov vijon të mbetet një qytet i mbyllur, pasi aty ndodhet ende Instituti i Studimeve për Armët Bërthamore.

Severomorsk

Ky qytet në veri të Rrethit Arktik, është një bazë e Flotës Veriore të Marinës Ruse, dhe cilësohet si një vend strategjik. Edhe pse kjo bazë detare ka funksionuar që në ditët e para të Bashkimit Sovjetik, ai mori statusin e një qyteti të mbyllur vetëm në vitin 1996, pak vite pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Nga Severomorsk u nis aeroplanmbajtësja e famshme “Admiral Kuznetsov”, për të marrë pjesë në fushatën ushtarake të Rusisë në Siri në vitin 2017. Qyteti është plot me muzeume kushtuar historisë së marinës ruse. Ai ka një klimë të ashpër, ndërsa zhytet tërësisht në errësirë nga fillimi i dhjetorit deri në mesin e janarit.