Borxh

Borxh deri në fyt, qytetarët marrin mbi 1 miliard euro mbitërheqje gjatë Qeverisë Kurti II

Mbitërheqjet bankare të qytetarëve e bizneseve gjatë vitit 2023 kanë arritur pikën më të lartë. Një grafikë e publikuar nga Instituti GAP tregoi disa shifra që do të komentoheshin me të madhe më pas. Vetëm në vitin e fundit, mbitërheqja bankare ka arritur vlerën e 471 milionë euro, derisa për tri vite, mbi një miliard euro.

Sipas Institutit GAP, të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë që mbitërheqja është rritur 13.7 për qind më e lartë gjatë dhjetorit të vitit 2023 në krahasim me atë të vitit 2022.

Në postimin e tyre theksohet qartë: “Veçmas pas vitit 2020, vërehet një rritje e ndjeshme e kësaj kategorie”.

Ndër të parët që reagoi mbi këtë, ishte pikërisht Agron Demi nga ky institut, i cili bëri të ditur se edhe ai vet ka shfrytëzuar mbitërheqjen bankare.

“Varfëria është rritë për shkak të pandemisë dhe inflacionit…Në anën tjetër Qeveria mburret me shkallën e rritjes ekonomike.” – ka thënë ai në një shkrim në rrjetin social Facebook.

Veç kësaj, ai ka përmendur se ndonëse këtu ka ndikuar edhe pandemia e inflacioni, Qeveria është fokusuar vetëm në statistikat që nuk ndikojnë në mirëqënien sociale.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se qytetarët po marrin mbitërheqje për t’i përballuar shpenzimet e tyre ditore.

Ky reagim i ashpër i saj erdhi pas një statusi të deputetit të pushtetit, Armend Muja i cili bëri një krahasim skandaloz të qarkullimit të bizneseve gjatë vitit 2020, vit ky i pandemisë dhe kur ato ishin të mbyllura, me vitet pasuese.

“Pres që grafet e ardhshme Armend Mujes me qënë për inflacionin 2020-2023 dhe çmimet e energjisë elektrike 2020-2023. PS. Shihni grafet e publikuara jo nga Armendi, por nga Instituti GAP.” – ka shkruar ajo në fund.

Ndërkohë, disa fjalë rreth kësaj i ka thënë edhe zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, i cili theksoi se mbitërheqja ka arritur në një miliard “prej kur Kurti është në pushtet”.

Ai madje tha se këto produkte bankare, kanë normë interesi prej mbi 20 për qind.

“Për t’u përballur me shpenzimet e rritura të jetesës, në kushtet kur të hyrat nuk janë rritur, qytetarët po mbështeten në shfrytëzimin e këtij produkti kreditor bankar që vjen me një normë interesi prej mbi 20%.” – ka thënë ai.

Çka është mbitërheqja?

E njohur edhe si “overdraft”, sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës, është një formë e kredisë afatshkurtër që lidhet me pagën e individit.

“P.sh. Nëse një person ka në llogari bankare një shumë prej 500 eurosh dhe dëshiron të tërheqë 600 euro. Në këtë rast mbitërheqja do të aktivizohet dhe personi do të ketë në dispozicion 100 euro më shumë sesa që ka realisht në llogari. Kjo shumë konsiderohet si borxh dhe është e dobishme për situata emergjente ose nevoja të tjera të pashmangshme.” – thuhet në informacionet e BQK-së.

BQK ka treguar edhe disa këshilla për ata që duan të shfrytëzojnë mbitërheqjen.

Mbitërheqja apo “overdrafti” mund të jetë e dobishme në situata emergjente, por duhet të perdoret me kujdes për shkak të kostos së lartë.

BQK këshillon po ashtu që të pyetet banka nëse aplikon tarifa dhe interes për këtë lloj kredie dhe sa janë ato.

Po ashtu, pagesa e overdraftit bëhet automatikisht, në momentin që kreditohet llogaria (në momentin që ju del paga në llogari).

“Përdorni mbitërheqjen vetëm për emergjenca. Mbitërheqja është një opsion i mirë në raste emergjente, siç janë shpenzimet e papritura mjekësore, pagesat e papritura ose për të marrë përfitime nga një ofertë e kufizuar. Nëse mbitërheqja përdoret për shkak të shpenzimeve të rregullta, mund të jetë shenjë e një problemi më të thellë financiar.” – thuhet tutje në të dhënat e BQK-së.

VIDEO BONUS: Komandanti i UÇK-së, Talat Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut