Ndeshja e së martës mes Cagliarit e Juventusit përfundoi në qendër të vëmendjes për koret raciste kundrejt lojtarëve me ngjyrë të Juventusit dhe u bë shumë zhurmë vetëm kur djaloshi Moise Kean shënoi dhe shkoi të festonte në mënyrë polemizuese poshtë tribunës së tifozëve ultras të Cagliarit.
Pas ndeshjes mbrojtësi bardhezi Leonardo Bonucci bëri një gafë, duke acaruar pa masë kolegë nga e gjithë bota, sepse tha: “Pati thirrje raciste pas golit, Matuidi i dëgjoi dhe u nxeh. Mendoj se Kean është fajtor 50% dhe tifozët 50%, sepse ai nuk duhej të festonte ashtu dhe tifozët nuk duhej të reagonin në atë mënyrë”.
Një tërmet i vërtetë pasoi këtë deklaratë, sepse të gjithë iu kthyen kundër futbollistit veteran, i cili e ka kuptuar se bëri një gafë, ndaj ka përdorur Instagramin për të sqaruar të gjithë, duke tentuar ta quajë një keqkuptim atë deklaratë.
“Pas 24 orësh, dua të qartësoj ndjenjat e mia.
“Pas ndeshjes u intervistova dhe fjalët e mia u keqkuptuan, ndoshta sepse u nxitova në shprehjen e mendimeve të mia.
“Orë dhe vite nuk do mjaftonin për të folur për këtë temë.
“Unë e dënoj ashpërsisht çdo formë racizmi dhe diskriminimi. Abuzimet janë të papranueshme dhe kjo nuk duhet keqkuptuar”.







