Bonucci i kundërpërgjigjet tifozëve që e vërshëllyen, “jetoni me më pak zili”

Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonucci ka kërkuar nga tifozët italianë që e vërshëllyen në ndeshjen ndaj Portugalisë në Nations League, të bashkohen rreth flamurit të Italisë.

Bonucci ishte objektiv i tifozëve të Milanit që në stadiumin e tyre “San Siro” nuk e lanë të qetë 31 vjeçarin gjatë gjithë përballjes me kampionin e Europës, Portugalisë, dhe arsyeja tashmë është e ditur, rikthimi i tij te Juventusit pas vetëm një sezoni të kaluar me fanellën “Rosonere”.

Në intervistën menjëherë pas ndeshjes Bonucci i quajti kritikuesit e tij budallenjë, por në intervistën e dhënë sot për “Corriere dello Sport” kishte një qasje më pajtuese.

“Kombëtarja duhet të bashkohet rreth vetëm një flamuri duke u lënë jashtë klubet. Unë i respektoj tifozët por kësaj rradhe mund të gjykoj se ata e kishin gabim. Nuk e prisja këtë dhe bëra gabim duke mos qenë vetvetja në minutat e para të ndeshjes. Ne sigurisht se duhet të rritemi si skuadër kombëtare por ky proces duhet t’i prek edhe tifozët. E vërteta është se ne duhet të jetojmë me më pak zili dhe me më shumë sinqeritet dhe empati”, theksoi Bonucci.

Bonucci lavdëroi edhe përzgjedhësin aktual të Italisë, Roberto Mancinin duke ia atribuar meritat për përmirësimin e kombëtares ish trajnerit të Interit.

Italia e përmbylli kampanjën e saj në Nations League në pozitën e dytë të grupit 3 prapa kryesueses, Portugalisë.