‘Bombardohet’ Ambasada ruse në Facebook pas reagimit ndaj Haradinajt: Mbylleni atë dreq goje ose shporruni nga Shqipëria

Ditë më parë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka paralajmëruar një referendum për bashkim me Shqipërinë, nëse nuk plotësohen pikat që iu janë premtuar Kosovës tash e sa kohë, e që kanë mbetur tema të hapura.

Por, deklaratat e liderit të AAK-së, kanë bërë që të ketë reagime edhe nga Rusia. Ministria e Jashtme e Rusisë ka lëshuar një kumtesë, ku deklaratën e Haradinajt e konsideron një provokim.

“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit”, thuhet në reagim. Ambasada ruse në Tiranë, në reagimin e saj në Facebook, Kosovën e quan një “pseudo-shtet i vetëshpallur”, shkruan Ballkani.info.

“Nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë ‘pavarësinë’ e Kosovës”, thotë Ambasada ruse.

Lidhur me këtë, shumë komentues, reagimin e Ambasadës e konsuderojnë skandaloz dhe të pamatur.

“Kosova është shtet i lirë i pavarur që e njeh më shumë se gjysma e botës! Po Krimea pse kishte të drejtë të bente referendum për bashkim me Rusinë? Ju si Ambasadë ose sillni diçka pozitive për të afruar popujt ose mbylleni atë dreq goje ose shporruni nga Shqipëria”, thuhet në njërin nga reagimet e komemtuesve.

Po ashtu, njëri nga lexuesit, në komentin e tij, thotë se, Rusia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe jo ta përkrah Serbinë që prej 100 vjetësh ka kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

“Kosova nuk është shtet i vetëshpallur! Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur nga dhjëtera shtete si SHBA, Britania, Franca, Gjermania, Italia e dhjetëra shtete të tjera. Rusia nëse do të gëzojë simpatinë e shqiptarëve duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe jo të perkrah Serbinë që në Kosovë prej 100 vjetesh e  më shumë kreu gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, shkruan njëri nga lexuesit.

Ndaj deklaratës së Haradinajt kishte reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. /Ballkani.info/