Bologna dërgon drejtuesin në Los Angeles për të bindur Ibrahimovicin

Bologna beson vërtetë se mund ta transferojë sulmuesin Zlatan Ibrahimovic dhe për këtë arsye ka dërguar disa ditë më parë një nga legjendat e klubit, Marco Di Vaion në Los Angeles, për të takuar suedezin.

Sipas mediave italiane, Di Vaio i ka shpjeguar Ibrës projektin e klubit dhe dëshirën e madhe për ta marrë në janar në “Dall’Ara”, megjithatë diskutimi mbetet ende i hapur dhe vendimi i suedezit pritet të vijë në ditët e fundit të dhjetorit.

Kjo pasi Bologna shpreson shumë në faktorin Mihajloviç, me trajnerin serb që ka miqësi të konsoliduar me Ibrën dhe po investohet personalisht për ta bindur të transferohet në rajonin emilian.

Nga ana tjetër, vetë gjiganti suedez, së bashku me familjen e tij, preferojnë më shumë Milanon dhe do të donin një transferim te Milani, aty ku ka luajtur për 3 sezone në periudhën 2010-2013. Vlen të theksohet se deri në merkaton e janarit ka ende shumë kohë, ndaj natyrisht që Ibra nuk ka ndërmend të nxitojë.