Boksieri me bilanc 15:0, vdes në moshën 21-vjeçare

Boksi ndërkombëtar është në zi pas vdekjes tragjike të boksierit 21-vjeçar, Javier Alejandro Gonzalez Barrientos.

Vdekjen e boksierit shumë perspektiv e ka konfirmuar kreu i WBC-së, Mauricio Sulaiman.

Barrientos nuk kishte boksuar që nga prilli i vitit 2019, pasi po luftonte me kancerin në nyjën limfatike. Fatkeqësisht ishte një betejë të cilën nuk mundi ta fitoi.

Në faqen zyrtare të WBC-së, Sulaiman, ka shkruar: “‘Rusito’ Gonzalez ka lënë këtë botë në moshën 21-vjeçare pasi me trimëri ka luftuar kundër kancerit në nyjën limfatike. Ai ishte shumë premtues dhe e ardhmja e boksit meksikan. E gjithë familja e WBC-së bashkohet me familjen dhe shokët në kujtim të këtij luftëtari të ri e të madh. Trishtimi është i madh, por ‘Rusito’ nuk do të harrohet asnjëherë”.

Besohej se Barrientos do të arrinte deri te titulli i botës, pas fillimit të fuqishëm të karrierës.

Ai ka shënuar 15 fitore rresht, 11 prej tyre me nokaut, para se të niste betejën me kancer. Kishte nisur karrierën në vitin 2015 me fitore ndaj Israel Rodriguez Picazo. Të gjitha luftërat i ka zhvilluar në Meksikë.