Boksierët kosovarë nën ethe para Botërorit, janë ende në pritje të vizave

Vizat vazhdojnë t’ju sjellin probleme dhe kokëçarje sportistëve kosovarë.

Ndonëse u mor vendimi për liberalizimin e vizave nga 1 janarit i vitit 2024, sportistët e këtushëm po hasin ende në probleme për t’u pajisur me viza në këtë vit.

Në fakt, Federata e Boksit të Kosovës ka njoftuar se ende është në pritje të vizave për Botërorin e Tashkentit, që do të mbahet në Uzbekistan nga 1 deri më 15 maj, shkruan “Gazeta Express”.

Kosova në këtë Botëror i ka paraqitur tre boksierë: Bashkim Bajoku (54kg), Shpëtim Bajoku (63,5kg) dhe Loris Idrizi (67kg).

Selektori Besim Brahimi është shprehur se boksierët kosovarë janë përgatitur mjaft mirë dhe se janë në formë të mirë pas përgatitjeve të përbashkëta.

Trajneri i suksesshëm i boksit beson se me një short të mirë, boksierët kosovarë mund të sigurojnë medalje në këtë Kampionat Botëror.

Sidoqoftë, fillimisht delegacioni kosovar duhet t’i sigurojë vizat për të shkuar në Uzbekistan.

Së fundmi, boksierja më e mirë e Kosovës, Donjeta Sadiku mbeti pa pjesëmarrje në Botërorin e femrave pasi s’mundi të pajisej deri në ditën e fundit me vizë, e kur iu dha viza, qeveria indiane i vendosi kushte rreth simboleve shtetërore, të cilat ajo bashkë me delegacionin kosovar nuk i pranoi, shkruan “Gazeta Express”.

Pra, sportistët kosovarë, mbi të gjitha ata të boksit, po vazhdojnë të diskriminohen, sidomos nga shtetet që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.