Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë reaguar pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit, nga kreu i Qeverisë, Albin Kurti.

Boiken Abazi, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, sot gjatë ditës i ka bërë dy shkrime lidhur me shkarkimin e Veliut.

Fillimisht e ka përgëzuar Kurtin, për siç ka thënë ai largimin e një anëtari nga kabineti që është i rrezikshëm për shtetin e Kosovës.

“Përgëzime KM Kurti – largoi një anëtar kabineti të rrezikshëm për shëndetin publik dhe shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Abazi, ndërkaq, ka reaguar ndaj Veliut për deklaratën e tij që Kurti dhe anëtarët e Qeverisë nga radhët e LV-së e kanë bërë testin për koronavirus.

Ai ka ironizuar duke thënë se Agim Veliu është i infektuar dhe në gjendje të rëndë me koronathaçizëm.