Bogujevci: Ende ka të mbijetuara që jetojnë aty ku janë dhunuar, gra që s’marrin ndihmë as nga shteti as familja

Saranda Bogujevci, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje por edhe e mbijetuar e masakrës së marsit të vitit 1999, në Intervistën e Javës në Koha.net ka shtjelluar veprimet që duhet të ndërmerren për t’i hapur rrugë gjykimeve të krimeve serbe në Kosovë, gjithashtu ka treguar se pse është e pamundur dhe e vonshme të krijohet Tribunali Ndërkombëtar.

Bogujevci ka sqaruar nëntë pikat përmes së cilave do të duhej të adresoheshin krimet serbe që janë kryer në Kosovë. Por, ndër të tjera, kur ka folur për viktimat e dhunës seksuale e të mbijetuarat, ka thënë se shteti s’ka bërë asgjë për to, e madje ka të tilla që jetojnë në vendin ku ka ndodhur ngjarja, të tilla që s’marrin trajtim as nga familjarët e vet, e të tilla që s’marrin as pensione.

“Gjërat që po i diskutojmë tani është dashur të bëhen shumë më herët. Nuk mund të kërkosh krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar kur nuk ke kryer punën brenda vendit tënd. Të gjithë e dimë çka ka ndodhur në Kosovë, ka dëshmi. Sot ndihem më e shliruar që në vitin 2000-2001 kam dhënë dëshminë time të parë. Tani ndihem më mirë pasi kam dokumentuar rastin dhe nuk e kam më kujtesën që kam pasur në fillim për ta trajtuar këtë çështje”, tha Bogujevci.

Ajo thotë se hallin që ka Lëvizja Vetëvendosje është propozimi për krijimin e një Tribunali të tillë, pasi sipas saj, është e papranueshme t’u jepen shpresa të pabaza familjarëve të viktimave.

“Është e padrejtë nga ana e Veselit dhe të tjerëve t’u japin shpresa atyre pa u shpjeguar se çka do të thotë ky Tribunal. Ky Tribunal, duhet së pari të ketë kërkesë në OKB. Aty fillon problemi i parë. Është e pa dinjitetshme të dalësh me ideja pa qenë i sigurt që kjo gjykatë do të realizohet”, tha ajo duke shtuar se nga kjo ide e kryeparlamentarit Kadri Veseli, s’do të ketë rezultat.