Boca Juniors dhe River Plate janë pajtuar të ndalojnë prezencën e tifozëve mysafirë në dy ndeshjet e finales së Copa Libertadores.
Presidenti i Argjentinës, Mauricio Macri javën e kaluar pati deklaruar se dëshiron që të ketë tifozeri të dyja skuadrave në të dyja përballjet, gjë që nuk ndodh që nga viti 2014.
Sidoqoftë Boca dhe River kanë arritur marrëveshje për të shmangur ardhjen e tifozëve mysafirë për të dyja ndeshjet.
“Boca Juniors dhe River Plate kanë arritur një marrëveshje që finalet e Copa Libertadores të zhvillohen pa prezencën e tifozëve mysafir. Kjo pajtueshmëri u arrit pas takimit të presidentëve të dyja skuadrave dhe atij të Federatës së Futbollit të Argjentinës. Në takim u diskutua se do të krijoheshin probleme për anëtarët e të dyja klubeve nëse do të iu lejoheshin udhëtimi i tifozëve mysafir”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga Boca Juniors.
Takimi i parë i “Superclasicos” do të zhvillohet të shtunën në stadiumin e Bocas “La Bombonera”, ndërsa sfida e kthimit luhet me 24 nëntor në “El Monumental” të Riverit.







