Blerim Reka favorit i Vetëvendosjes për kryediplomat të Kosovës, pëlqehet edhe Ditmir Bushati

Blerim Reka, Ditmir Bushati dhe Veton Surroi janë tre prej emrave më të lakuar për Ministër të Punëve të Jashtme të Kosovës, nëse këtë dikaster qeveritar e merr Lëvizja Vetëvendosje.

Deri më tani në media është lakuar vetëm emri i Veton Surroit, i cili, sipas burimeve të afërta me Albin Kurtin, nuk ka gjasa fare. Por, plasimi i këtij informacioni mësohet se është bërë nga njerëz të afërt me Surroin në përpjekje për ta imponuar atë, por që Kurti s’i duket nuk është aspak i interesuar që ta përfshij në qeverisjen e tij.

“Albini është i vetëdijshëm që Veton Surroi, për shkak edhe të së kaluarës, por edhe të neverisë së madhe publike ndaj tij, vetëm dëm do t’i bënte dhe nuk është i gatshëm ta paguaj faturën politike për të, sidomos tash kur pritshmëritë qytetare janë të mëdha për të”, ka thënë një burim brenda Vetëvendosjes për Ballkani.info.

Po ashtu, sipas tij, gjasat më të mëdha i ka ish-kandidati shqiptar për president të Maqedonisë Veriore, Blerim Reka, i cili është edhe njeri i afërt me Albin Kurtin.

Madje, e afërt me Kurtin është edhe ish-asistentja e Rekës, Vlera Gjakova, e cila Blerim Rekës ia kishte udhëhequr edhe marrëdhëniet me publikun në kampanjën e zgjedhjeve presidenciale, por ishte edhe kandidate për deputete në këto zgjedhje.

Në anën tjetër, i dëshiruar nga Kurti për ta vendosur në pozitën e të parit të diplomacisë kosovare është edhe ish-kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati, i cili thuhet se ishte shkarkuar nga Edi Rama për shkak të qëndrimeve të tij rreth korrigjimit të kufijve, por me këtë të fundit situata është paksa më e komplikuar dhe Kurti është më hezitues, sepse do të mund t’i ashpërsonte edhe më tej raportet e tij me Edi Ramën.

Përparësia e Rekës krahas Bushatit është edhe nënshtetësia kosovare, për të cilën thuhet se Reka e posedon, kurse Bushati jo.

Njerëz të afërt me Rekën, në kushte anonimiteti, kanë treguar për Ballkani.info se ai tashmë ka komunikuar edhe zyrtarisht me Kurtin për emërimin e tij si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, porse Kurti i ka thënë që edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e dëshiron këtë dikaster qeveritar.

Thuhet se Kurti po planifikon që Rekën ta forcojë si figurë politike, sepse planifikon që ta krijojë së shpejti Lëvizjen Vetëvendosje në Maqedoninë Veriore me atë si lider, njëjtë sikurse pritet të ndodh edhe me Ditmir Bushatin, i cili pritet t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje si lider i saj në Shqipëri, sapo të rritet pak atje dhe të krijohen rrethanat e duhura politike.

Ndarja e dikastereve qeveritare pritet të komplikohet edhe më shumë pas reduktimit të numrit të ministrive. /Ballkani.info/

loading…