Blerim Latifi reagon pas lirimit të policit që keqtrajtoi 18 vjeçarin në Prishtinë

Profesori Blerim Latifi ka reaguar nëpërmjet Facebookut lidhur me lirimin e një polici i cili kishte keqtrajtuar një 18 vjeçar në stacionin policor “Qendra’ në Prishtinë.

Sipas Latifit pamjet e tilla e humbin besimin në shtetin e Kosovës. Një gjë e tillë, sipas Latifit u lë njerëzve vetëm alternativën e ikjes nga vendi.

“Pamje të tilla një efekt e kanë të sigurtë: vazhdimin e rënies së besimit në shtetin e Kosovës. E kur ky besim shembet, njerëzve u mbetet veç një alternativë: t’i marrin rrugët e botës!”, shkroi Latifi në Facebook.

Shkrimi i plotë i Latifit në Facebook:

Një nga shkaqet pse në mesin e viteve nëntëdhjetë disa djem vendosën t’i rrokin armët kundër Serbisë, ishin edhe skenat e rrahjes së shqiptarëve nëpër stacionet policore.

Ishin skena të ngjashme në pamje me këtë rrahjen e këtij djaloshit nga një polic i Kosovës: u thoshin të rrinin gatitu, pastaj një polic i godiste dhe policët e tjerë aty rrinin në rolin e spektatorëve që dëfrehen me dhunën.

Nuk ka asnjë dyshim se Policia e Kosovës ka shumë e shumë delikuentë në rradhët e saj, njerëz që uniforma dhe revolja në brez i bën prepotent e agresiv.

Ashtu siç nuk ka asnjë dyshim se shumë raste si ky me këtë djaloshin heshten dhe fshihen nga publiku. Pamje të tilla një efekt e kanë të sigurtë: vazhdimin e rënies së besimit në shtetin e Kosovës.

E kur ky besim shembet, njerëzve u mbetet veç një alternativë: t’i marrin rrugët e botës!