Më 1 prill të këtij viti, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj doli me një deklaratë për media, ku njofton se konsujve të nderit u hiqet e drejta e përdorimit të targës diplomatike.
Sot ata duhet të dorëzojë targat e automjeteve të tyre, të cilët kanë patur privilegjin të lëvizin me targa diplomatike, pati thënë Cakaj.
Sipas tij, janë 38 konsuj nderi që lëvizin me targa diplomatike dhe këtë ministri e quan shkelje të ligjit.
“Ju informoj se kam vendosur për marrjen e masës së tjetër të domdosdoshme ka ardhur koha të bëjmë një praktikë. Jemi një vend në botë që kemi plot 38 konsull nderi që operojnë me targa diplomatike. Në shkelje të habitshme të këtij ligji janë plot 38 konsuj nderi, të pajisur me targa CD, të cilët hyjnë e dalin në vend si përfaqësues më të lart diplomatikë. Ky privilegj është i pajustifikueshëm dhe duhet të marrë fund”, pati thënë Cakaj.
Më pas, saktësisht më 24 prill, Cakaj foli edhe një herë për konsujt e nderit, duke thënë se një pjesë e tyre nuk i kanë kthyer targat diplomatike.
E në mesin e atyre që nuk i kishin kthyer targat u raportua se është edhe biznesmeni kosovar, tashmë i njohur më shumë për rastin e Telekomit me Z Mobile, Blerim Devolli. Blerim Devolli është pronar i Z Mobile, kompanisë virtuele telefonike, të cilës dje Telekomi i Kosovës ia shkëputi kontratën 10 vjeçare, shkruan Ballkani.info.
Se Blerim Devolli nuk i ka dorëzuar ende targat siç ka kërkuar ministri Cakaj, tregojnë edhe këto foto dhe video të siguruara nga Ballkani.info.
Fotografitë e veturës së Devollit me targa diplomatike janë bërë sot në Prishtinë.
Vetura e tipit Range Rover mban targat diplomatike 05-CD-055.

Blerim Devolli është Konsull Nderi i Shqipërisë për Pejë, Deçan, Junik, Klinë dhe Istog.
Të kujtojmë se Ballkani.info ka raportuar më 27 prill për një skandal me veturën e Blerim Devollit që mbante targat diplomatike.
Ballkani.info pati raportuar se më 4 mars të këtij viti, Policia e Kosovës kishte ndaluar veturën e Blerim Devollit për ngasje të rrëzikshme.
Me të ndaluar veturën, policia e ka parë që drejtuese e mjetit ishte Vlera Blerim Devolli, vajza e Blerim Devollit.
“Me datën 04.03.2019 rreth orës 13:00 në vendin e quajtur Krivovë, në magjistralen Pejë-Prishtinë kemi vërejtur një veturë Mercedes AMG me tabela të ambasadës së Shqipërisë 05-CD-033 pronë e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë me seli në Prishtinë, e cila veturë bënte ngasje tejet të rrëzikshme duke drejtuar me shpejtësi të madhe”, thuhej nder tjerash në raportin policor.
Çfarë përfitojnë konsujt e nderit?
Të gjitha të drejtat e konsullit janë të rregulluara me konventën e Vjenës për shërbime konsullore, sipas së cilës, konsullatat dhe konsujt kanë të drejtë për pasaporta diplomatike dhe tabela të veturave diplomatike.
Konsujt e nderit emërohen nga Ministri i Jashtëm i vendit përkatës dhe përkundër që nuk kanë të drejta dhe detyrime sikurse se ata të karrierës, sipas konventës se Vjenës, ata gëzojnë të drejta të shumta.
Konsujt e nderit mund të lirohen nga taksat në qarkullim, nga dogana në rastin e importit të prodhimeve të caktuara dhe gjatë kalimit të kufirit me veturë me tabela diplomatike, konsujt e nderit janë të liruar edhe nga kontrolli i valixheve dhe gëzojnë të drejtën e parkimit pa pagesë.
Kompetencat e konsullit të nderit përcaktohen me vendim të veçantë nga ana e Ministrit të Punëve të Jashtme. /Ballkani.info/







