Blendi Fevziu

Blendi Fevziu për Naim Murselin: Isha përshëndetur me të disa vite me parë, mendova t’ia gjejë numrin për t’i çuar ngushëllim…

Gazetari i njohur Blend Fevziu ka reaguar pas arrestimit të Naim Murselit, i cili dyshohet se kishte porositur vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, duke i dhënë 30 mijë euro Granit Plavës për ta kryer vrasjen.

Ai ka thënë se u trondit kur pa fotot e çifiti kur u raportua për vrasjen dhe sidomos kur pa në atë foto Naim Murselin, me të cilin kujton se ishte përshëndetur njëherë në një nga hotelet e Prishtinës.

Pas lajmit, thotë se edhe tentoi t’ia gjente numrin që ta ngushëllonte.

“Pak ditë më parë lexova në media një lajm që ishte tejet i trishtë. Një grua e re kishte humbur jetën në sy të dy fëmijëve të saj dhe bashkëshortit në një tentativë grabitje në një nga rrugët e Prishtinës. Mu duk një lajm pak i çuditshëm për Prishtinën, e cila sigurinë e ka në nivele shumë të larta. Por, u trondita akoma më shumë kur pash fotografinë e çiftit. Në krah të gruas së ndjerë pash fotografinë e bashkëshortit, një personazh që mesa kujtoj jam përshëndetur diku në një nga hotelet e Prishtinës, disa vite më parë. Më kishte bërë përshtypjen e një njeriu të kulturuar, të sjellshëm që më tregoi të ishte emigrant në Suedi dhe se e donte shumë Kosovën dhe se njihte gjithë elitën e Kosovës. Kur pash fotografinë e djalit dhe ndjeva një trishtim tejet të madh, tentova t’i gjeja numrin e telefonit për t’i çuar një ngushëllim, për t’i thënë që të bëhej i fortë për të rritur dy fëmijët që kishin mbetur jetimë, për t’ munduar që ata të kishin sa më pak trauma nga vdekja e nënës përpara syve të tyre. Por, dje lexova që Policia e Kosovës kishte identifikuar si organizator të vrasjes së bashkëshortes pikërisht bashkëshortin”, ka thënë Fevziu.

Fevziu tutje ka thënë se një njeri që kryen një akt të tillë nuk Meriton asnjë fjalë tjetër përveçse “kriminel”

“Mbeta i tronditur në radhë të parë sepse njerëz të tillë që duken normal por që kanë ndjenja të tilla kriminale, janë kaq pranë nesh. Edhe pse drejtësia e policia nuk kanë dhënë përfundimisht fjalën e tyre, ka shumë mundësi që version real të jetë ky. Ndaj pyeta veten se çfarë mund ta bënte një burrë që ta vriste bashkëshorten e tij në sytë e dy fëmijëve, t’i linte ata me një traumë aq të madhe, t’largonte nga jeta një grua, një vajzë të re e cila kishte menduar të kalonte jetën me të, që ishte bashkëshortja e tij, që kishin kaluar ditë të gëzueshme e të trishtuara pa dyshim, që kishte sjellë në jetë dy fëmijë dhe që shpresonte t’i rrisnin së bashku dhe shumë pse. Është padyshim e vështirë që të gjesh një arsye, por një gjë është e sigurt, çdo njëri që kryen një akt të tillë nuk Meriton asnjë fjalë tjetër përveçse kriminel. U prehtë në paqe gruaja e re. Shpresoj që fëmijët ta kalojnë sa më shpejt dhe sa më pak pasoja këtë dramë”, ka deklaruar gazetari.