Blatter kritikon Infantinon: Është fiksuar pas fuqisë së vet

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, e ka kritikuar liderin aktual të organit qeverisës të futbollit në botë, Gianni Infantinon, duke thënë se qëllimi i tij është ta shndërrojë futbollin në një makinë të madhe parash.

Gianni Infantino u zgjodh si president i FIFA-s pas dorëheqjes kontroverse të Sep Blatter në vitin 2015.

Blatter tani thotë se pasardhësi e bashkëkombësi i tij është fiksuar pas fuqisë së vet dhe dëshiron t’i zmadhojë të gjitha garat për të fituar më shumë para.

“Duket se Gianni Infantino dëshironte ta shtronte rrugën e tij për të qenë president”, ka thënë Blatter, në një intervistë të dhënë për mediumin zviceran, Keystone ATS.

“Gianni Infantino dëshiron ta shndërrojë futbollin në një makinë të madhe parash. Ai dëshiron që gjithçka të bëhet më e madhe”.

“E do një Kupë të Botës me 48 skuadra, riemëroi projektin Goal pasi që dëshiron trefish më shumë para. Një Kupë të Botës për Klube më të madhe me 24 skuadra, dëshiron ta rritë Kupën e Botës të Grave nga 24 në 32 skuadra”.

“Kjo nuk është e përballueshme, është e tepërt për t’u përbirë”.

“Ai luan me veten sepse i pëlqen vetja. Ai është fiksuar pas fuqisë së vet. Në arrogancën e tij, ai nuk flet më me presidentët e Federatave të Futbollit, por vetëm me krerët e shteteve”.