Biznesmeni e pranoi që ka mashtruar për ta fituar tendrin, gjykata thotë se janë boll veç 3 mijë euro denim

Gjykata Themelore në Gjakovë thotë se me dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe dënimin plotësues, të shqiptuar ndaj biznesmesnit Vllaznim Mazreku për mashtrim në prokurim publik, do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë sipas ligjit.

Mazreku ngarkohej se si drejtor i kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, ka shkelur rregullat e prokurimit publik, ashtu që me qëllim të mashtrimit në prokurim publik ka përdorur dokumentacionin e një personi tjetër, në mënyrë që të ndikonte në vendimin e Komunës së Malishevës në lidhje me një tender të lëshuar nga kjo e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga gjykatësi Nikollë Komani, Mazreku fillimisht ishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 500 euro gjobë, por që dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me gjobë në shumën prej 2 mijë e 500 euro.

Ndaj Mazrekut ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që i ndalohej kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, që të marrë pjesë në procedurat për dhënien e kontratave në prokurim publik, me pronar të akuzuarin Mazreku, në afat prej një viti.

Në arsyetimin e aktgjykimit të përpiluar me shkrim thuhet se me rastin e shqiptimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, gjykata ka vlerësuar të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

“Gjykata nuk ka gjetur rrethana rënduese, ndërsa si rrethana lehtësuese për të akuzuarin ka marrë parasysh pranimin e fajësisë, jodënueshmërinë e tij të mëparshme, të cilat rrethana kanë ndikuar që gjykata ta aprovojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e të akuzuarit t’ia shqiptojë dënimin sipas marrëveshjes së arritur”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

Tutje sipas gjykatës, ky dënim është në harmoni me peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit dhe se gjykata është e bindur se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit do të arrihet qëllimi i dënimit nga neni 38 të KPRK-së.

Më 10 nëntor 2021, gjykata e kishte aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të lidhur në mes të akuzuarit dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhej se Vllaznim Mazreku, në periudhën kohore gjatë muajit nëntor të vitit 2020, në cilësi të drejtorit të kompanisë “Flamuri Sh.p.k”, me seli në Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit, duke paraqitur dokumentacione të rreme, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues, Komunës së Malishevës.

Tutje sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që në tenderin “Asfaltimi i rrugëve të fshatrave të komunës së Malishevës, Loti-1, Bellanicë, Ngucat, Balincë, Bubel dhe Loti-2 Carrallukë, Turjakë dhe Burim”, pa dijeni dhe pa autorizimin e tij ka përdorur dokumentacionin e Arbnor Hetemit, inxhinier i hidroteknikës, si kontratë mbi projektin, listë e stafit profesional, CV, kopjen e diplomës master, autorizimin për këtë projekt, edhe pse nuk ishte pjesë e kompanisë tenderuese “Flamuri Sh.P.K”.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” nga neni 415, paragrafi 1 i KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në pesë vjet.