Bislimi e Petkoviq përballë njëri-tjetrit, ka nisur takimi në Bruksel

Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi ka nisur takimin me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel.

Në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe ankeksit të saj. Pritet që të vazhdohen edhe diskutimet për Asociacionin, por edhe për situatën aktuale në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit në katër komuna, të cilat i bojkotoi Lista Serbe.

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, paraprakisht i ka takuar ndaras Bislimin dhe Petkoviqin, të cilët takohen për herë të parë pas takimit të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq më 2 maj në Bruksel.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se në atë takim u bë një përparim në çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi aty u prezantua një draft i statutit të kësaj bashkësie komunash, të cilin Kosova e konsideron të papranueshëm. BE-ja thotë se ai draft është pikënisje për diskutim lidhur me këtë çështje, gjë të cilën e kanë kundërshtuar ashpër eksponentë të partisë në pushtet.

Pritet që në takimin e 15 majit të vazhdohen diskutimet për këto çështje, por të bisedohet edhe për situatën aktuale në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit.

I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.

Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.