Bislim Zyrapi

Bislim Zyrapi dëshmon për plot 7 ditë në rastin ndaj katërshes së UÇK-së në Hagë

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, është dëshmitari i 75 i ZPS-së në çështjen kundër katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Zyrapi, si asnjë dëshmitar më parë, është planifikuar të dëshmojë për plot 7 ditë, pasi Prokuroria ka kërkuar 8 orë për ta marrë në pyetje ndërkaq ekipet e mbrojtjes 25 orë.

Poashtu, Bislim Zyrapi u paraqit në gjykatoren e Gjykatës Speciale me avokat mbrojtës, belgun Rik Vanreusel, meqë sipas kryegjyqtarit Charles Smith ekziston rreziku i vetëinkriminimit nga ana e Zyrapit, gjatë kohës sa ky do të flas për veprimtarinë, strukturën, qasjen dhe bashkëpunimet e UÇK-së gjatë periudhës së aktakuzës.

Për ta dëgjuar dëshminë e ish shefit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në sallë janë të pranishëm që të katër të akuzuarit, përfshi Jakup Krasniqi që gjatë javëve të fundit ishte paraqitur vetëm me video-lidhje.