Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kohëve të fundit ka rikthyer në vëmendje çështjen e rivitalizimit të termocentralit Kosova A. Ai madje ka pretenduar se projekti i kompanisë gjermane “Bilfinger”, të cilin po e konsideron si shpëtim për krizën energjetike në vend, ishte refuzuar nga ish-kryeministri Isa Mustafa, që e qeveriste vendin gjatë asaj kohe në vitin 2015. Demokracia.com ka siguruar prezantimin e kësaj kompanie rreth projektit, i cili nuk përmban më shumë se 17 faqe.

Kryeministri Albin Kurti po shprehet i mërzitur që nuk u bë rivitalizimi i Termocentralit Kosova A nga kompania gjermane “Bilfinger”. Ai madje ditë më parë në frazë dëshirore “eh sikur” të ishte realizuar një projekt i tillë.

Ndërkaq, “Bilingerin” kryeministri e përmendi edhe në Kuvendin e Kosovës. Ai akuzoi deputetët e LDK-së se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet, e kishin refuzuar projektin e kësaj kompanie.

Demokracia.com ka zbuluar ofertën që ka bërë kjo kompani për institucionet vendore gjatë vitit 2015. Projekti që nga Kurti po proklamohet si “madhështor” e “i mirë” në ofertën e “Bilfingerit” përmban vetëm 19 faqe, madje dy prej tyre janë kopertina.

Do të thotë, oferta e “Bilfingerit” për Qeverinë e Kosovës gjatë asaj kohe përbëhej vetëm prej 17 faqeve.

Sipas kësaj kompanie gjermane, investimi total për rivitalizimin e termocentralit Kosova A, llogaritej të kushtonte plot 900 milionë euro, gati një miliard.

Lidhur me akuzat e Kurtit, para pak ditësh u prononcua edhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Siç po raporton edhe Demokracia.com, Mustafa ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowerPoint.

“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelarës, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin. Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit”, ka thënë Mustafa përmes një postimi në Facebook.

Problemet e “Bilfingerit” me ligjin

“Bilfinger” si kompani nuk është aspak ashtu siç po e paraqet Kurti.

Kjo kompani, gjatë vitit 2013 u detyrua t’i paguajë 32 milionë dollarë si pasojë e akuzave penale të SHBA-së se ka korruptuar zyrtarët nigerianë për të marrë kontrata për një projekt gazi në vendin afrikan.

Madje, lajmi për këtë ishte bërë i ditur edhe nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, transmeton Demokracia.com.

Prokurorët e akuzuan kompaninë “Bilfinger” se ka dhënë më shumë se 6 milionë dollarë ryshfet, në kundërshtim me Aktin e Praktikave Korruptive të Jashtme të SHBA-së.

Bilfinger punoi me të tjerët për të rritur çmimin e një oferte me 3 për qind për ta mbuluar koston e pagesave.

Gjatë asaj kohe, shefi ekzekutiv i “Bilfinger”, Roland Koch, kishte thënë se kompania ishte e kënaqur t’i lërë pas ngjarjet.

“Në vitet e fundit, Bilfinger ka zgjeruar vazhdimisht instrumentet e pajtueshmërisë dhe sot ka një sistem modern dhe efikas”, tha Koch në një deklaratë.

Por, ky nuk është skandali i vetëm i kompanisë së preferuar nga Kurti. Gazetat gjermane kishin njoftuar se Bilfinger dyshohet të jetë e përzier edhe në një skandal korrupsioni në Brazil.

Kjo kompani thuhej se u ka paguar zyrtarëve të FIFA-s dhe politikanëve lokalë në Brazil më shumë se 20 milionë euro ryshfet për të siguruar realizimin e një projekti të madh ndërtimor.