“Bijat i shesim, votat i qesim”, autori i grafitit ia huq shtëpisë së Adelina Graincës

Në pjesët e murit rrethues të shtëpisë ku banon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Grainca, disa persona të panjohur mbrëmë kanë shkruar grafitin: “Bijat i shesim, votat i qesim”.

Krahas përpjekjeve, gjurmët e grafiteve që ishin vendosur një ditë më parë, kanë mbetur akoma.

“Bijat i shesim, votat i qesim” është përmbajtja e këtij grafiti, në fshatin Cernillë të Ferizajt, fshat ky ku banon deputetja, Adelina Grainca.

Megjithatë, autorët e këtyre grafiteve me gjasë gabuan adresën.

Sipas familjarëve, grafitet janë vendosur në shtëpinë e axhës së deputetes.

Megjithëse nuk u prononcuan para kamerës, familjarët thanë që akoma nuk kanë identifikuar të dyshuarit.

Për të hetuar rastin, janë angazhuar edhe nga Policia e Kosovës.

Një veprim të tillë e kanë kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Madje sipas Shqipe Metaj-Isufit, deputetja Grainca ka qenë cak i sulmeve e kritikave qysh kur u largua nga PDK, për t’iu bashkuar Vetëvendosjes.

Ndonëse nuk aludojnë në dikë që mund të ketë bërë këto grafite, Metaj-Isufi dënon këto sulme seksiste.

E nga ky veprim janë distancuar edhe nga partia nga e cila ishte larguar deputetja Adelina Grainca.

Selim Marevci nga dega e PDK-së në Ferizaj, ka thënë që një veprim i tillë ngjan me aksionet e Lëvizjes Vetëvendosje.

Edhe qytetarët e Ferizajt thonë se deputetja nuk duhet të sulmohet për vendimet e saj personale.

Në lidhje me këto grafite ka pasur edhe reagime të tjera në nivel qendror, përderisa autorët akoma nuk dihen. /T7