Mesfushori argjentinas

Biglia 4 muaj jashtë fushave pas lëndimit në pulpë

Milani ka konfirmuar se Lucas Biglia do të mungojë për 4 muaj pas lëndimit që e pësoi në pulpë gjatë seancës stërvitore të javës së kaluar.

Testet e kryera dolën në përfundim se Biglias i duhet t’i nënshtrohet operacionit, i cili u mbajt në Finlandë gjatë ditës së enjte.

Ndërsa klubi italian ka konfirmuar se operacioni ka përfunduar me sukses.

“Lëndimi i pësuar me 31 tetor në seancën stërvitore, përfshiu dëmtimin e pulpës së djathtë. Operacioni i kryer në Finlandë nga profesori Sakari Orava dhe doktori i klubit Stefano Mazzoni, ka kaluar me sukses. Shërimi i plotë do të marrë kohë 4 muaj”, shkruhet në komunikatën e Milanit.

Lucas Biglia ka zhvilluar 11 paraqitje këtë sezon me fanellën e Milanit në të gjitha garat duke dhënë vetëm një asist.