Biden paralajmëron Rusinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, u takuan me kancelarin gjerman Olaf Scholz të martën në Shtëpinë e Bardhë. Nga aty, Bideni lëshoi një paralajmërim për Rusinë rreth gazsjellësit Nord Stream 2, shkruan ABC News.

Pasi të dy liderët dukej se e shmangën përmendjen e gazsjellësit në konferencë shtypi, pyetjet e gazetarëve detyruan Bidenin të jepte një përgjigje paralajmëruese. Ai ka thënë se plani për ndërtimin e Nord Stream 2 nuk do të ecë përpara nëse trupat ruse kalojnë sërish kufirin e Ukrainës, duke paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin për pasojat e mundshme ekonomike.

“Nëse Rusia pushton, kjo do të thotë nëse tanket ose trupat do të kalojnë sërish kufirin e Ukrainës, atëherë nuk do të ketë më një Nord Stream 2”, ka thënë Bideni.

I pyetur se si mund të angazhohet për këtë, duke qenë se Nord Stream 2 është nën kontrollin gjerman, Bideni u kundërpërgjigj: “Ne do – ju premtoj – do të jemi në gjendje ta bëjmë atë”.

Scholz, nga ana tjetër, shprehu unitet me SHBA-në dhe ka thënë se Gjermania po përgatit sanksione në rast se Putin vendos të pushtojë sërish.

“Siç e thashë tashmë, ne po veprojmë së bashku”, ka thënë Scholz në konferencën për shtyp. “Ne jemi absolutisht të bashkuar dhe nuk do të ndërmarrim hapa të ndryshëm. Ne do të bëjmë të njëjtat hapa dhe ata do të jenë shumë, shumë të vështirë për Rusinë dhe ata duhet të kuptojnë”.