Beteja e tmerrit për serbët: Serbia në kërkim edhe të 6 trupave të ushtarëve të vrarë në Koshare

Në Serbi vazhdojnë të merren me tmerrin që ushtria serbe përjetoi në Betejën e Koshares nga 9 prilli i vitit 1999 e deri në fund të luftës, më 12 qershor 1999.

Beteja e cila zyrtarisht la të vdekur qindra ushtarë serbë, konsiderohet si njëra nder më të suksesshmet e UÇK-së.

Serbia për këtë betejë ka bërë edhe filma dokumentar, ku flitet për humbjet e mëdha që pësuan, por që ata e kthejnë në heroizëm të ushtarëve dhe të oficerëve të tyre.

“Ata e mbrojtën Serbinë nga armiku në numër shumë më i madh dhe i armatosur më mirë. U vranë heroikisht, me emrin Serbi në buzë…”, kështu shkruajnë mediat serbe sot, transmeton Ballkani.info.

Sipas gazetës serbe “Espreso”, në Betejën e Koshares është folur shumë “për heronjtë dhe gati gjithçka dihet për ta, mirëpo tregimi më pikëllues që lidhet me këtë betejë edhe më tej mbetet i pa treguar, për të heshtët dhe fshihet”.

“Tregimi më pikëllues për Kosharen është fakti se edhe pas 20 vjetësh të betejës ndërmjet ushtarëve të UÇK-së, NATO-s, agjentëve të SAS (britanik) dhe CIA-s (amerikane) në Koshare dhe në Shqipëri gjenden trupat e ushtarëve të vrarë serbë”, shkruan gazeta.

“Po, mirë e keni lexuar, nga të vrarët, 6 trupa të heronjvë tanë, të cilët e dhanë jetën për mbrojtjen e vendit edhe më tej pushojnë në varret në Koshare, por edhe në territorin e Shqipërisë, por Serbia, si dhe familjarët e tyre ende nuk i kanë gjetur trupat e tyre”, shkruan tutje “Espreso”.

Koloneli serb Lubinko Gjurkoviq në intervistë për këtë gazetë ka zbuluar se trupat e ushtarëve serbë gjendet në Shqipëri dhe se tërë punën po e udhëheqë Komisioni për persona të zhdukur në Qeverinë e Serbisë.

“Nuk kam njohuri se ata trupa gjendet në Koshare, por janë në Shqipëri në ndonjë varr të përbashkët”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Gazeta e ka kontaktuar edhe shefin e Komisionit për persona të zhdukur, Velko Odaloviq, i cili ka thënë se edhe më tej ka trupa në Koshare dhe se Qeveria serbe po bën çmos që të arrijë deri tek ta.

“Është e saktë se edhe më tej në atë rajon ka ushtarë të vrarë serb. Bëhet fjalë për gjashtë trupa për të cilët po kërkojmë ende. Komisioni dhe unë kemi qenë personalisht në Koshare, por nuk kemi mundur në detaje të shikojmë atje, pasi që territori është i minuar. Me neve ka qenë edhe delegacioni nga Prishtina. Presim që së shpejti të shkojmë sërish në Koshare, sepse kemi marrë informacione se territori atje pjesërisht është deminuar”, ka thënë Odaloviq.

Serbia ka njoftuar se zyrtarisht në Betejën e Koshares janë vrarë 108 ushtarë dhe oficer serbë, mirëpo sipas Hisen Berishës, njërit ndër komandandatët gjatë Betejës, numri i serbëve të vrarë mund të jetë 1200.

Në anën tonë, dëshmorë kanë rënë 140 ushtarë të UÇK-së. /Ballkani.info/