Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me numrin 2, Besnik Tahiri, ka zhvilluar një aktivitet në rajonin e Llapit, ku ka folur për sakrificën e dëshmorëve dhe rolin e Aleancës në proceset politike dhe shtetndërtuese të Kosovës.

Përmes një postimi publik, Tahiri ka kujtuar rënien e veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë, Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut, Edmond Hoxhës dhe Luan Haradinajt, duke e cilësuar sakrificën e tyre si dëshmi të përkushtimit për lirinë e vendit.

“Llapi e kupton se e vërteta ka pasur gjithmonë çmim. Më 31 janar 1997 ranë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Më 6 maj 1997 ra Luan Haradinaj. Sakrifica e tyre mbetet dëshmia më e fortë e përkushtimit për liri”, ka shkruar Tahiri.

Ai ka vlerësuar angazhimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se Aleanca është përballur vazhdimisht me sfida në periudha të ndryshme, që nga lufta e deri te proceset politike dhe institucionale pas çlirimit.

Tahiri po ashtu ka shprehur mbështetje për Ardian Gjini, për të cilin tha se ka qenë pjesë e etapave të rëndësishme të historisë së Kosovës, nga rezistenca e viteve ’90 deri te ndërtimi i institucioneve të vendit.

Sipas kandidatit të AAK-së, përpjekjet për ta dobësuar Aleancën kanë qenë të vazhdueshme ndër vite, por ai konsideron se subjekti politik që përfaqëson ka mbetur i qëndrueshëm përballë sfidave.

Në fund të mesazhit të tij, Tahiri u ka bërë thirrje mbështetësve të Aleancës që të vazhdojnë angazhimin gjatë fushatës zgjedhore dhe të mbështesin kandidatët dhe programin politik të partisë në zgjedhjet e ardhshme.