Besnik Bislimi pa skaduar afati 48-orësh për targat shkon në Bruksel për një shans të ri me Serbinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nesër do të udhëtojë drejt Brukselit për të diskutuar për çështjen e targave ilegale serbe.

Bislimi pritet të takohet me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Demokracia.com këtë informacion e ka marrë nga burime brenda Zyrës së Kryeministrit.

Ky është edhe një shans për të diskutuar për targat, pas zhvillimeve dramatike të ditës së hënë.

Pas dështimit të arritjes së një marrëveshjeje në takimin disa orësh të Kurtit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, ai mbrëmë e ka pranuar kërkesën e ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, për ta shtyrë zbatimin e vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale.

Kurti ka njoftuar se bëhet fjalë për një shtyrje 48-orëshe.

“E falënderoj Ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për një shtyrje 48 orëshe për dhënien e gjobave për targat ilegale KM (dhe të tjera). Jam i lumtur të punojë me SHBA-në dhe me BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kryeministri në Twitter.

Ky vendim erdhi pasi Ambasada amerikane në Prishtinë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë për 48 orë dhënien e gjobave për qytetarët që vozisin automjetet me targat që Serbia ilegalisht i lëshon për rajone të Kosovës.

SHBA ka thënë se kanë kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, është shprehur ambasadori Jeff Hovenier.