Besart Berisha: Ne vazhdojmë të ëndërrojmë

Skuadra e Besart Berishës, Western United ka vazhduar edicionin e ëndrrave në A-League të Australisë. Në paraqitjen e parë në kampionatin elitar të Australisë në futboll, Western Unitedi është renditur në vend të pestë dhe ka siguruar paraqitjen në serinë finale. Në çerekfinale, të dielën, Westerni fitoi 1:0 ndaj Brisbane Roar, ish-skuadrës së Berishës. Golin e vetëm e realizoi italiani Alessandro Diamanti. Ai realizoi gol të bukur nga gjuajtja e lirë, të cilën e siguroi Berisha. Tani Western United luan në gjysmëfinale ndaj Melbourne Cityt, më 26 gusht. Berisha ka shënuar 19 gola në stinorin e rregullt, ndërsa synon edhe ndonjë në plejof.

Besart Berisha synon titullin e pestë të Australisë. Ai ka dy tituj me Melbourne Victory e dy tjerë me Brisbane Roar. Është golashënuesi më i mirë në histori të A-Leagues.

“Jam shumë, shumë i lumtur dhe shumë krenar. Jam krenar si lojtar të jem pjesë e këtij ekipi. Nuk mund të jem më falënderues dhe më krenar për grupin, për stafin dhe për klubin”, ka thënë Berisha për faqen zyrtare të A-Leagues, pas ndeshjes të luajtur të dielën. “Ne kemi një ëndërr dhe ne vazhdojmë të ëndërrojmë”, ka shtuar ai.

Ëndrra është për titull të kampionit në edicionin debutues.