Bernardo Silva beson se rikthimi i disa lojtarëve te Manchester City mund të ngrit nivelin e skuadrës së tij.

Mesfushori portugez është shfaqur optimist rreht gjasave të shpalljes kampion të Cityt këtë sezon në Premier Leauge, me “Citizens” që ndodhen në vendin e dytë me 4 pikë më pak se lideri, Liverpooli.

Kampionët në fuqi synojnë një tjetër sukses në elitën e futbollit anglez, gjersa në garë janë edhe në tre fronte të tjera; EFL Cup, FA Cup dhe Champions League.

Te Manchester City telashe me lëndime kanë pasur Kevin De Bruyne që ka filluar të rikthehet në kondicionin e tij më të mirë pas lëndimit të përsëritur në ligamente, ndërsa edhe mbrojtësi francez, Benjamin Mendy është pranë rikthimit në fushë.

Pikërisht këto zhvillime i japin besim Silvas se Manchester City do të ketë një shtysë shtesë në vazhdim të kampionatit.

“Duket se e kemi të gjithë skuadrën të gatshme gjë që është shumë e rëndësishme sepse do të kemi nevojë për secilin. Më në fund jemi të gjithë bashkë dhe kjo është pozitive për shkak se deri në këtë fazë të sezonit jemi përballur me shumë lëndime. Nuk kemi luajtur asnjëherë me të gjithë skuadrën e gatshme dhe tani ne do të tentojmë t’i shkojmë deri në fund të gjitha kompeticioneve”, theksoi Bernardo Silva.

Manchester City këtë fundjavë takohet me skuadrën e fundit në tabelë, Huddersfieldin për ndeshjen e javës së 23-të.