Bërnabiq në Bruksel: Dialogu është në interes të popullit në Kosovë, shpresoj të rifillojmë në qershor

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë para mediave se darka e organizuar nga ministri i Jashtëm i BE-së, Josep Borrell, për liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, është në interes të tërë regjionit. Gjithashtu, Bërnabiq tha se dialogu Kosovë-Serbi është në dobi të popullit që jeton në Kosovë.

“Dialogu është në interes të Beogradit dhe Prishtinës, e jo vetëm për popullin që jeton në Kosovë dhe Metohi, por edhe në interes të të gjithë regjionit”, është shprehur Bernabiq, raporton rtv.rs

Ndër të tjera Bërnabiq tha se ajo shpreson që dialogu do të rifillojë në qershor.

Ajo theksoi se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve është një nga gjërat nga të cilat varet stabiliteti rajonal.

Borrell ka informuar se do të presë gjatë ditës së sotme, gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

“Sot do t’i mirëpres gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor. Kjo është tradita që të diskutohet për regjionin me regjionin”, ka thënë Borrell.

“Kjo është një mbledhje formale, ku mund të diskutojmë formalisht lidhur me tema strategjike dhe sfiduese për Evropën dhe regjionin e Ballkanit”, ka thënë Borrell.

“Ne konsiderojmë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë një nga prioritet më të larta të Bashkimit Evropian”, shtoi Borrell.

Numri një i diplomacisë së BE-së shtoi se takimi na jep mundësinë, që të flasim më shumë për situatën në Ballkanin Perëndimor.

Në takim do të marrin pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ai i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Millorad Dodik. 

Borell vlerësoi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi kyçe për vetë BE-në.