Berisha: Vizita në Berlin, rezultati më i madh politik dhe dita më e vështirë politike e Haradinajt

Zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha, e ka vlerësuar lartë vizitën e kryeministrit Ramush Haradinaj në Berlin duke e cilësuar si “rezultatin me të madh politik të Haradinajt” prej marrjes së detyrës.

Berisha në RTV Dukagjini ka thënë se takimi i sotëm i Haradinajt me kancelaren gjermane, Angela Merkel është i veçantë pasi Gjermania ka marrë një rol kyç në dialogun Kosovë-Serbi.

“Kosova sot ka përfituar shumë dhe i ka hapur rrugën vetit për t’u bërë pjesë e proceseve në të cilat ka përkrahjen e Gjermanisë”, tha ai.

Zëvendësministri i Jashtëm e ka konsideruar këtë vizitë të Haradinajt si rezultatin më të rëndësishëm prej kur e ka marrë detyrën në krye të Qeverisë.

“Sa i përket Kryeministrit, mendoj që ky është rezultati më i madh politik prej se është në funksion. Por, mendimi im personal është se kjo ka qenë dita më e vështirë politike, pasi të futesh në agjendën gjermane është përgjegjësi, një gjë që nuk ka ndodhur me liderët e rajonit”.

“Edhe të tjerët në faza kanë pasur mundësi [të futen në agjendat gjermane], por që rrugës e kanë humbur. Çka është më e rëndësishmja, kjo është mundësi për vet kryeministrin por edhe për Kosovën që të futemi nën ombrellën gjermane e që nënkupton rregulla, standarde, principe të forta dhe që hapin rrugën për integrime euro-atlantike”, tha ndër të tjera Anton Berisha.