Mesfushori kosovar

Berisha përsërit dëshirën për të pasur një sezon të suksesshëm te Lazio

Valon Berisha shpreson ta ketë një sezon pozitiv në fanellën e Lazios pas atij të errët që e pati.

Berisha e kaloi një sezon të vështirë në fanellën e Lazios.

Lëndimet e kohëpaskohshme ia pamundësuan ta gjejë formën ideale në kampionatin italian, ku ishte transferuar nga Salzburgu.

Megjithatë, së fundmi mesfushori kosovar i është bashkuar ekipit të Lazios në përgatitje dhe po ushtron fort për t’u rikthyer Valoni i dikurshëm.

Futbollisti i lindur dhe rritur në Norvegji shpreson ta ketë një sezon pa lëndime dhe me formë të mirë.

“E kam kaluar një vit të vështirë, që nga fillimi. Po angazhohem në maksimum për ta shijuar një sezon të rilindjes”, ka thënë përfaqësuesi kosovar.

Atij i nevojitet minutazh për ta rikthyer formën dhe ritmin e lojës.

Në ndeshje me Celta Vigon iu ofruan 10 minuta, por trajneri Simone Inzaghi mund ta aktivizojë më shpesh në javët në vazhdim.

Berisha pritet të luajë ndeshje kampionale në muajin shtator pas ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020 të Kombëtareve.

loading…