Besnik Berisha, avokat i Shaban Gogaj i cili është akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, ka thënë se epilogu i këtij rasti do të jetë që e njëjta është kryer nga pakujdesia.

Ai ka thënë se ditën e vrasjes në sirtarë kanë qenë dy armë, njëra prej të cilave ka qenë me gaz.

Berisha i ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ka thënë se eksperti ka dëshmuar se mbushja, shenjëstrimi e shkrepja nga të dy këto armë është e njëjtë.

Sipas tij, e vetmja gjë që i dallon është tyta e mbyllu.

“Në sirtarë kanë qenë dy armë. Arma me gaz ka qenë çdo herë në sirtarin ku është vendosur një natë përpara edhe arma e vërtetë. Mbushja shënjestrimi shkrepja të gjitha janë të njëjta. E vetmja gjë që i dallon dy armët është fakti se tyta është e mbyllur. Kjo mund të vërehet vetëm nëse arma kthehet nga tyta Eksperti na ka dëshmuar edhe në gjykim këtë”, ka deklaruar ai.

Berisha ka thënë se kushdo që thotë që në sirtar nuk kanë qenë dy armë, është gënjeshtar.

Përndryshe, për pretendimet se gjatë telefonatës që ka pasur Gogaj ka qenë i nervozuar dhe ka vrarë viktimën, ai thotë se prokurori nuk ka gjetur fakte për këtë.