Sali Berisha

Berisha për protestën e nesërme: Do kërkojmë llogari për çdo ditë të zezë të kësaj dekade shkatërrimtare

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nga ballkoni i shtëpisë ku dhe ndodhet në arrest shtëpie u shpreh se ditën e nesërme do i kërkojnë llogari kreut të qeverisë, Edi Ramës për shkatërrimin që sipas tij i ka bërë Shqipërisë.

Mes tjerash ai theksoi se Rama është rrezik i madh për kombin shqiptar, këtë e ka denoncuar opozita, por këtë e provoi shumë mirë regjistrimi i popullatës.

“Edi Rama është një rrezik i madh për demokracinë. Nuk e themi ne, e thonë raportet e OSBE-së. Ky vjedh votën, ku blen votën. A është pluralizëm kur kryetari i opozitës ndalohet, i ndalohet emri në fletën e votimit? A është pluralizëm kur vula e partisë më të madhe opozitare mbahet peng me mercenarë të drejtësisë? A është pluralizëm kur lideri i opozitës arrestohet njëlloj si në Iran, Rusi, Korenë e Veriut apo në Ugandë? A është pluralizëm kur në parlament ndalohen komisionet hetimore, e drejta për të propozuar ligje, e drejta për të zgjedhur kryetarin grupi i opozitës? Jo, kjo nuk është pluralizëm, kjo është diktaturë”, tha Berisha.

“Prandaj një thirrje kombëtare kësaj here, një thirrje që shkon për ndërgjegjen kombëtare të çdo njeriu që ka gjak shqiptari, më 20 shkurt të dalë në protestë për demokracinë, për pluralizmin, për lirinë. Edi Rama është rrezik i madh për kombin shqiptar, këtë e ka denoncuar opozita, por këtë e provoi shumë mirë regjistrimi i popullatës. Ky regjim, ky narkoshtet përgjysmoi si murtajë popullatën në Shqipëri, sa asnjë pushtim tjetër, sa asnjë mënyrë tjetër, kjo vetëm për shkak të dhunimit të votës, vjedhjes së fondeve dhe pasurive publike. Edi Rama është rrezik madhor për kombin shqiptar se ai është dëshmuar një armik i egër, primitiv, i pabesë ndaj gjysmës së kombit që jeton në Kosovë, në një shtet tjetër të pavarur”.

“Prandaj me 20 shkurt ne do kërkojmë llogari për çdo ditë të zezë të kësaj dekade shkatërrimtare. Ne do fitojmë. Të dashur miq, nesër më 20 shkurt, ne shkojmë të bashkuar, shkojmë më të fortë se kurrë. Mos harroni se çfarë përpjekjesh primitive, antidemokratike, antishqiptare u bënë që të na përçanin, të na bënin copë e çikë, vetëm e vetëm pse qëndronim në mbrojtje të interesit kombëtar, në mbrojtje të interesit shqiptar, në mbrojtje të pasurive të tyre, në mbrojtje të financave të tyre”, u shpreh Berisha./euronews.al

VIDEO BONUS: Vazhdojnë të vijnë autoambulanca në Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë