Berisha: Krenar që jam pjesë e Kosovës, po e përfaqësoj gjakun, vendin e familjen time

Pasi i shënoi dy gola në ndeshjen e djeshme kundër Anglisë, Valon Berisha është shprehur krenar që është pjesë e skuadrës së Kosovës, duke shtuar se nuk e morën rezultatin që e deshën, por se do të vazhdojnë të përmirësohen.

Anglia shënoi fitore me rezultat 5-3 në ndeshjen e mbrëmshme kundër Kosovës, në stadiumin e Southamptonit, “St.Mary’s”, duke i dhënë kështu fund ecurisë së Kosovës prej 15 ndeshjeve pa disfatë.

Berisha e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme për Kosovën, duke shënuar gol pas vetëm 41 sekondave lojë, ndërsa e nisi me gol edhe fillimin e pjesës së dytë – duke kombinuar sërish me Vedat Muriqin.

“Krenar që jam pjesë e kësaj skuadre, për ta përfaqësuar gjakun tim, vendin tim e familjen time. Mes të mirave e të këqijave, ne gjithmonë qëndrojmë bashkë. Siç thonë ata: Të rritur nga lufta, më të fuqishëm se frika”, shkruan Berisha në llogarinë e tij në Instagram.

“Frikësojuni vetëm Zotit dhe gjithçka është e mundur. Pas 7 muajve larg fushave për shkak të lëndimit, çfarë kënaqësie është të kthehesh në fuqi, për ta shijuar atë që dëshiron ta bësh. Ndihem i bekuar”.

“Nuk e morëm rezultatin që e donim, do të vazhdojmë të luftojmë dhe të përmirësohemi. Tifozët tanë janë më të mirët në botë, ju falënderojmë. #planiizotit #zotiështëarsyeja #ibekuar #elhamdulilah #eduakëtëlojë #jemidardanët”.

Para se ta vizitonte Southamptonin të martën në mbrëmje, Kosova kishte shënuar 10 fitore dhe kishte barazuar pesë herë të tjera në 15 ndeshjet e fundit. Humbjen e fundit e kishte pësuar në tetor të vitit 2017, në një ndeshje kualifikuese kundër Islandës (2-0) për Kupën e Botës 2018.

Por, Raheem Sterling me një paraqitje brilante, duke shënuar një gol dhe krijuar tri gola të tjera, i ndihmoi “Tre luanëve” të fitojnë dhe ta ruajnë rekordin pa humbje që prej vitit 2009 në ndeshje kualifikuese për Euro apo Botëror.

loading…