Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha, ka reaguar pasi ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se deklaratat e Prindon Sadriut, ku i quajti gazetarët ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’, nuk ishin në cilësinë e diplomatit.

Berisha ka shkruar në Facebook se me shpjegimin që ka bërë Gërvalla në rastin e Sadriut, tregojnë se Kosova në vend të një kryediplomateje ka një kryeanarkiste.  

Sipas Berishës, me këto deklarata Gërvalla iu bëri ftesë të gjithë diplomatëve që ata nuk kanë detyrime ndaj Kushtetutës e normave të mirësjelljes, por vetëm ndaj bashkëshorteve.

“Me spjegimin qe bëri zonja Gërvalla për rastin e diplomatit Sadriu, tregoi që shteti i Kosovës në vend të kryediplomatës ka një kryeanarkiste. Ministrja e Puneve te Jashtme , zonja. Gervalla, ju beri ftese te gjithe diplomateve qe ata/ato nuk kane detyrime ndaj Kushtetutes, Ligjeve, normave e kodeve te miresjelljes civile e diplomatike por kane vetem detyrime ndaj bashkeshorteve apo partnereve te tyre dhe nuk kane asnje kufizim ne fjalorin qe perdorin. Ne Europe jo se jo, por veshtire te gjendet ne bote ndonje shembull i tille degradues”, ka shkruar Berisha.

Ndryshe, kryediplomatja Gërvalla tha të martën se deklaratat e Sadriut, i cili është i ngarkuar me punë në ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, nuk ishin në cilësinë e diplomatit, por në atë të bashkëshortit.

Gërvalla ka arsyetuar Sadriun duke thënë se një përgjithësim nuk e ka bërë.

Ajo thotë se përgjegjësi disiplinore do të kishte për Sadriun nëse ato deklarata do t’i bënte gjatë detyrës së tij si diplomat.

“Unë jam fanatike e asaj se cfarë është thënë, e jo interpretimit mbi atë se cfarë është thënë. Dhe është e vërtetë se z. Sadriu një përgjithësim të tillë nuk e ka bërë. Unë nuk do ta thoja në atë formë, por për këtë gjë pse e ka thënë duhet ta pyesni atë vetë dhe jo mua, domëthënë nuk mund ta analizojë tekstin e z. Sadriut”

“Kjo deklaratë nuk është e diplomatit, por është e një bashkëshorti që është detyruar ta mbrojë dinjitetin e unë nuk do ta kisha bërë. E imja si eprore është ta verifikojë a i mbush kushtet për masë displinore apo jo. Po të kishte bërë Sadriu shkelje edhe më të vogël në punën e tij si diplomat atëherë do të duhej të ballafaqohej“, thotë ajo në ATV.

Ndryshe, Prindon Sadriu i ka quajtur gazetarët ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ pasi në media u publikua lajmi se bashkëshortja e tij, Presidentja Vjosa Osmani, në kohën sa ishte deputete e Kuvendit të Kosovës, përgjatë viteve 2011-2014, ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga Shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, ndonëse jetonte në Prishtinë.