Berisha, armiku i të gjithëve dhe sulmuesi më i madh i A-Leagues

Gazeta e njohur, “The Guardian” ka publikuar një shkrim për sulmuesin kosovar Besart Berisha. Berisha, që në fundjavë arriti një shifër të veçantë në futbollin e Australisë, është cilësuar nga “The Guardian” si “armiku i përbetuar i të gjithëve dhe sulmuesi më i madh i të gjitha kohërave i A-Leagues”.

35-vjeçari prej vitit 2019 po luan për Western United në kampionatin e Australisë, ndërsa është përshkruar si futbollist që nuk pranon të jetë i dyti. Në shkrimin e “The Guardian” janë dhënë detaje nga personaliteti i ish-reprezentuesit të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Si rregull e përgjithshme, Besart Berisha nuk pranon të jetë i dyti. Nuk pranoi në dhjetor të vitit 2016, kur me Melbourne Victory kishte humbur disa rate për të barazuar rekordin e Archie Thomspon si golashënuesi më i mirë në A-League. Në pushim mes pjesëlojëve ai shkatërroi disa karrige, një kosh plehrash dhe një derë ‘për t’u relaksuar pak’, para se të dilte dhe të shënonte golin e fitores në pjesën e dytë”, ka shkruar gazeta britanike.

Janë përmendur edhe rekorde të tjera të Berishës në futbollin e Australisë, si një i vjetër 74 vjet. Të shtunën ai u bë “vetëm” i dyti për diçka dhe është në fakt prej të arriturave më të mëdha të tij.

Golat e 137 dhe 138 të tij në fitoren 4:1 të Western United ndaj Macarthur e vendosën Berishën para Rod Broen, që ishte i dyti në listën e realizatorëve më të mirë të ligës nacionale të Australisë në futboll. Tani Berisha është prapa vetëm Damian Morit, që ka shënuar 240 gola në kampionatin e Australisë.

Në shkrimin e “The Guardian” thuhet se Berisha ka hyrë në mendjen e të gjithë atyre me të cilët i janë kryqëzuar rrugët.

Falë edhe personalitetit të tij, Berisha është bërë emër shumë i njohur në Australi, ku po i afrohet një dekade qëndrimi. Ai në vitin 2011 kishte firmosur me Brisbane Roar dhe më pas luajti me plot sukses edhe për Melbourne Victory. Lista e sukseseve dhe e rekordeve të Berishës është shumë e gjatë.

“Ka qenë një moment kur kam dashur të shkëpus kontratën para se të vija në Brisbane. Isha pak nervoz dhe i frikësuar. Por gruaja ime më tha se nuk mund të heqim dorë. Kështu që më vjen mirë që gruaja ime më ndihmoi me këtë vendim për të vazhduar rrugëtimin”, ka thënë Berisha.

“Jam gjithmonë falënderues. Kam menduar se do të luaj shtatë muaj dhe do të kthehem në Evropë. Por kam rënë në dashuri me Australinë, jam ndier si në shtëpi që në vitin e parë. Kam dashur të vazhdoj këtu”.