Berbatov thotë se as Messi e Ronaldo nuk do t’i ndihmonin Manchester Unitedit

Dimitar Berbatov insiston se as Lionel Messi e Cristiano Ronaldo nuk do të mund ta këndellnin Manchester Unitedin e sotëm, i cili po kalon nëpër momente të errëta.

“Djajtë e Kuq” gjenden në pozitën e 12-të në Premierligë. Ish sulmuesi bullgar thotë se gjiganti anglez ka nevojë të përforcohet në fazën e sulmit.

Dimitar Berbatov mendon se edhe Lionel Messi e Cristiano Ronaldo do ta kishin vështirë të luanin mirë në ekipin e Manchester Unitedit sot.

Ekipi i Ole Gunnar Solskjaer e ka nisur njërin prej sezoneve më të dobët të Premierligës dhe momentalisht e zë vendin e 12-të me vetëm dy fitore nga tetë ndeshjet e para.

Sulmi po has në vështirësi për të shënuar gola, ndërsa në nivel nuk janë as pozitat tjera.

Dhe, ish sulmuesi i “Djajve të Kuq” insiston se në këtë kohë të vështirë, as Messi e Ronaldo në ekip nuk do të kryenin punë.

“Manchester United nuk po luan mirë si ekip për momentin. Nuk ka rëndësi se sa i fortë je si lojtar. Edhe Lionel Messi e Cristiano Ronaldo po të shkonin atje do të hasnin në vështirësi, sepse ekipi nuk po prodhon si ekip”, ka thënë ish futbollisti bullgar për “Betfair”.

“Kur i shet dy prej sulmuesve kryesorë (Romelu Lukaku e Alexis Sanchez), duhet ta marrësh së paku një tjetër. Kur t’ia shtosh kësaj se Anthony Martial është i lënduar dhe nuk ka ndonjë golashënues tjetër…”, vazhdoi ai.

Berbatov e ka këshilluar Manchester Unitedin ta transferojë sulmuesin e Juventusit, Mario Mandzukic.

loading…