Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, është një prej të akuzuarve në aferën e famshme të njohur si rasti ‘PRONTO’, në të cilën janë të përfshirë shumë zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Megjithatë kjo nuk e ka penguar Beqajn që ta punësojë në ministrinë e tij një drejtor i cili është i dënuar për korrupsion.

Për këtë ka reaguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili thotë se një vendim i tillë i ministrit Beqaj është fyerje për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“ Në kategorinë e ‘emërimeve të pakualifikuara, Ministria e Inovacionit ka emëruar prë drejtor ligjor një person të dënuar për korrupsion, vendim të cilin e ka mbështetur edhe Apeli. Një fyerje për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kosnett në një reagim në profilin e tij zyrtar në twitter.

Këto janë reagime të përjavshme të ambasadorit amerikan Kosnett, i cili ndjek nga afër përparimin dhe regresin e institucioneve të Republikës së Kosovës, sa i përket fushës së sundimit të ligjit.