Pas largimit të Cristiano Ronaldos gjatë afatit kalimtar të verës, Karim Benzema është i lumtur që tani e ka marrë përgjegjësinë për të qenë lider i Real Madridit në fazën e sulmit.

Sulmuesi e ka ngritur nivelin e tij këtë sezon, pasi Ronaldo u transferuar në Juventus, për 112 milionë euro, në fund të sezonit të kaluar.

Francezi zbuloi se kishte luajtur në mënyrë shumë më pak egoiste gjatë kohës kur pjesë e skuadrës së “Los Blancos” ishte edhe Ronaldo, i cili ishte golashënuesi më i mirë i skuadrës. Megjithatë, ai është shprehur i lumtur që e ka marrë këtë rol për vete.

“Tani unë jam lideri i sulmit, ndërsa më herët luaja për Cristianon. Unë gjithmonë e kërkoja atë me qëllimin për ta ndihmuar të shënojë më shumë gola. Kjo bënte që unë të mbetem në prapavijë, por tani unë e kam mundësinë për ta dëshmuar veten se mund të shënoj”, ka thënë Benzema për ‘France Football’.

Sulmuesi francez është në ballinën e edicionit të fundit të revistës prestigjioze të futbollit, France Football. Ky edicion përbëhet nga një intervistë, me titullin “E dua jetën time”.

Në 40 paraqitje të këtij sezoni, Benzema i ka shënuar 20 gola, si dhe i ka asistuar 7 të tjera. Ndërsa, të gjithë sezonin e kaluar, ai i kishte shënuar vetëm 12 gola, por i kishte asistuar 11 të tjera.