Belgjika

Belgjika frymëzohet nga Danimarka, propozohet dërgimi i të burgosurve në Kosovë

Aleanca e Re Flamane (N-VA), partia opozitare belge, ka propozuar ndërtimin e një burgu në Kosovë për të strehuar të burgosurit pa dokumente që janë në Belgjikë. Ky propozim është bërë nga deputeti i kësaj partie, Theo Francken, në një intervistë për “Het Nieuwsblad”, i cili ka thënë se është frymëzuar nga marrëveshja mes Kosovës dhe Danimarkës. Megjithatë, realizimi është shumë i vështirë.

Danimarka do t’ia paguajë Kosovës 210 milionë euro gjatë 10 vjetëve për të akomoduar rreth 300 të burgosur që janë kapur duke qëndruar ilegalisht në shtetin nordik. Marrëveshja është duke pritur ratifikimin në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti Francken ka thënë se dërgimi i të burgosurve pa dokumente nga Belgjika në Kosovë është ide që i përshtatet ndalimit të azilit që ai dhe partia e tij e kanë mbrojtur për shumë kohë.

Propozimi i Franckenit është përfshirë në manifestin zgjedhor të N-VA. Ai e sheh edhe si zgjidhje për dekonstruksionin e burgjeve belge.

Zgjedhjet federale në Belgjikë mbahen më 9 qershor. N-VA aktualisht ka 25 ulëse nga 150 të Dhomës së Përfaqësuesve.

Por sa është e realizueshme ideja e Franckenit?

An-Sofie Vanhouche, profesoreshë e kriminologjisë në Universitetin e Brukselit, zbut pritshmëritë. Sidomos nëse krahasimi bëhet me Danimarkën, sepse edhe atje, siç thotë ajo, propozimi nuk ka marrë vendimin final.

“Burgu në vetvete është ndërtuar tashmë. Megjithatë, shumë çështje ende duhet të rregullohen dhe shumë mbeten të paqarta. Ndërtimi i një objekti është mjaft i thjeshtë, transferimi i njerëzve në Kosovë nuk është. Të arrestuarit nuk duan thjesht të transferohen në një vend tjetër. Vetëm për shkak se janë dënuar nuk do të thotë se atyre i humbin të drejtat”, ka thënë Vanhouche, transmeton “VRT News”.

“A mund të vazhdojnë të garantohen të drejtat e njeriut në burgjet në Kosovë? Ky është problemi i parë edhe për Danimarkën. Shumë avokatë nuk e konsiderojnë këtë të realizueshme”, ka shtuar ajo.

Edhe pse garancia e cilësisë së burgjeve përfshihet në marrëveshjen mes Kosovës dhe Danimarkës, është shumë e vështirë të monitorohet realisht. Kosova nuk bën pjesë në Bashkimin Evropian dhe nuk njihet si shtet i pavarur nga pesë shtete të BE-së.

“Kosova mund të jetë pajtuar me disa kushte, por ka edhe ngurrim brenda vetë vendit. Ata sigurisht nuk janë aq entuziastë për disa njerëz që kanë kryer krime më të rënda”, është shprehur profesoresha e kriminologjisë.

Kush mban përgjegjësi për të arrestuarit? “Mbetet Danimarka, sepse ka të bëjë me njerëzit që janë dënuar në Danimarkë dhe duhet të vuajnë dënimin në Danimarkë. Si funksionon kjo për të burgosurit në një territor tjetër është ende një pyetje e madhe”, vijon ajo.

Nuk është propozim real për Belgjikën

Danimarka ka kërkuar zgjidhje për burgjet që nga viti 2016, por vazhdimisht ka hasur në pengesa. 

“Është qartë një projekt afatgjatë dhe as atëherë nuk është e sigurt nëse do të ketë sukses. Prandaj nuk është aspak propozim real për Belgjikën. Ka shumë më tepër probleme të përfshira sesa mendohej fillimisht, kështu që definitivisht nuk është zgjidhje që është aq e realizueshme sa propozohet nga N-VA”, ka deklaruar Vanhouche.