Belgjika dhe Gjermania: Rumania të merret me veten, jo me zgjerimin e BE-së

Deputeti belg, Phillipe Lamberts, ka nisur një sulm të ashpër mbi përshtatshmërinë e Rumanisë për të mbajtur Presidencën e BE-së. Ai ka thënë se çështja e zgjerimit është një proces i veçantë dhe kërkon kohë, për të cilën Rumania nuk premton dot për shkak të korrupsionit.

Duke folur në Parlamentin Evropian në Strasburg gjatë një debati plenar mbi presidencën e Rumanisë, eurodeputeti belg Phillipe Lamberts, udhëheqës i përbashkët i të Gjelbërve/EFA, nuk i ka kursyer kritikat për vendin ballkanik.

Shigjetat shkuan për Kryeministren e Rumanisë në postin që Rumania do të mbajë këtë 6-mujor në krye të Presidencës së BE-së.

Lamberts u tha gazetarëve se ai e sheh presidencën si një ushtrim në “kufizimin e dëmeve” dhe vetëm për shkak të zgjedhjeve evropiane, kjo presidencë do të jetë më e kufizuar në ushtrimin e prioriteteve të saj.

Rumania mori Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 janar, hera e parë që ajo ka qenë në krye të BE-së, që kur u bashkua me Unionin në vitin 2007. Por, qeveria e saj, në mënyrë të përsëritur ka hasur në kritika nga eurodeputetët dhe të tjerët për sundimin e ligjit, dobësinë e shoqërisë civile dhe abuzimet ndaj të drejtave të njeriut në vend.

Javën e kaluar, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, paralajmëroi qeverinë rumune të mos e miratojë ligjin e planifikuar që do të japë amnisti për vepra të korrupsionit, duke thënë se kjo do të dëmtonte sundimin e ligjit.

Sipas një sondazhi të ISSPOL muajin e kaluar, 91 për qind e rumunëve kundërshtojnë këtë amnisti për shkelje të korrupsionit të kryera nga zyrtarë të lartë.

Në një konferencë për shtyp, Phillipe Lamberts tha se do të ishte “më mirë që presidenca rumune, të ishte më e shkurtër se normale (për shkak të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në maj). Lamberts theksoi se nëse Rumania me të vërtetë duhet të ketë presidencën nën këtë qeveri “duhet të shpresoni që ata të mos bëjnë shumë dëme”. Por, shtoi ai, nuk mendoj se ata do ta bëjnë shumë mirë këtë gjë.

Brexit kërkon kohën e vet, sipas tij, kurse procesi i zgjerimit është një problem më vete, të cilin Rumania nuk mund ta menaxhojë dot.

Nga ana tjetër edhe deputetja e Gjermanisë, Ska Keller, vuri në dukje “aftësitë diplomatike” të kërkuara nga një presidencë e BE-së.

Afati gjashtëmujor është normalisht një shans për një vend që “të vihet në qendër të vëmendjes”, tha Keller.

Ajo foli për debatin, që përfshinte kryeministren rumune Viorica Dancila, duke u shprehur se “kur e shikoni këtë qeveri rumune ju jep arsye për shqetësim”.

“Qytetarët rumunë po kërkojnë qeverisje të mirë, por zërat e tyre nuk dëgjohen”, tha ajo.

Deputetja gjermane theksoi se ishte një çështje e “kredibilitetit”, duke shtuar, “Unë shpresoj që të jemi të befasuar pozitivisht nga kjo presidencë, por ora po kalon”.

Komentet e deputetëve të Parlamentit të grupimit të “Gjelbërve” vijnë pasi komisioni, në raportin e monitorimit të korrupsionit vitin e kaluar, tha se zhvillimet e fundit në Rumani kishin përmbysur ecurinë e progresit, veçanërisht në pavarësinë e gjyqësorit.

Presidenti rumun Klaus Iohannis kohët e fundit ka pranuar se vendi ka një problem me imazhin.

Presidenca vjen në një kohë kyçe për BE-në, me Britaninë e Madhe për shkak të daljes së ishullit nga blloku në mars dhe debateve për buxhetin e ardhshëm afatgjatë.

Juncker tha sëfundmi se rreth 200 dosje legjislative janë ende në pritje të vendimeve nga këshilli dhe parlamenti.

Në debatin e kësaj jave, Dancila tha se konkurrenca, digjitalizimi dhe mbrojtja, si dhe siguria e qytetarëve do të jenë fokusi i Presidencës së BE.

Prioritetet e Presidencës Rumune

Gjatë mandatit të saj, presidenca rumune do të synojë një kohezion më të mirë politik dhe ekonomik ndërmjet shteteve anëtare dhe do të angazhohet të punojë drejt reduktimit të zbrazëtirave në zhvillim midis rajoneve, duke mbështetur rritjen ekonomike dhe digjitalizimin, veçanërisht për industrinë evropiane. Menaxhimi koherent i flukseve të migracionit, forcimi i kufijve të jashtëm të BE-së dhe mbrojtja më e mirë e qytetarëve në hapësirën virtuale, do të jenë gjithashtu prioritetet e punës. Do të jetë në rend të ditës edhe ngritja dhe zgjerimi i mandatit të Prokurorisë Evropiane për përfshirjen e veprave terroriste dhe një bashkëpunim më i mirë mes vendeve të origjinës dhe vendeve transitit mbi çështjet e migracionit.

Dancila nënvizoi angazhimin e qeverisë rumune për të ecur përpara në çështjet e zgjerimit të BE-së, me një vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor dhe një fokus mbi vlerat e përbashkëta evropiane.

Pjesa kryesore e presidencës do të jetë samiti për të ardhmen e BE-së në Sibiu, më 9 maj. Deputetët e të gjitha grupeve politike thanë se donin të punonin “hap pas hapi”, me presidencën, për të ecur përpara në çështjet legjislative evropiane, në fushat prioritare, duke vënë në dukje se qeveria rumune duhet të bëjë më shumë për të promovuar vlerat evropiane, duke qenë më politikisht stabil dhe konsistente.

Juncker u kërkoi gjithashtu politikanëve të vendit, të lënë mënjanë dallimet e tyre gjatë presidencës.

Një burim për presidencën rumune tha për mediat në Bruksel se: “Gjatë debatit në seancën parlamentare që u mbajt në Strasburg, Kryeministrja rumune prezantoi prioritetet e presidencës rumune dhe u zotua të bëjë përparim në prioritetet legjislative që pasqyrojnë nevojat e Qytetarëve evropianë dhe shteteve anëtare. Ato përfshijnë iniciativat e ‘gjelbra’, të cilat synojnë një ekonomi më të qëndrueshme dhe më të pastër në BE. Kjo qasje e presidencës është në përputhje me objektivin e saj kryesor: ta bëjë Evropën më të bashkuar dhe të shmangë politizimin e debatit që nuk është në interesin e qytetarëve”.

Burimi shtoi: “Siç u tha në disa raste, presidenca rumune është duke vepruar si një ndërmjetës i ndershëm dhe synon të promovojë një agjendë ambicioze përgjatë gjithë mandatit gjashtëmujor. Nuk është një kohë e gjatë, por e shkurtër, por një presidencë efektive.

Anëtari rumun i EPP-së Cristian Silviu Busoi tha, “Rumania ka një trupë të kualifikuar të ekspertëve, diplomatëve dhe teknikëve, që janë të gjithë të njohur me sfidat e presidencës evropiane”.