Bekim Jashari kujton sulmin e dytë të Serbisë ndaj Familjes Jashari të bërë 21 vjet më parë

Sot janë bërë 21 vite që kur Familja Jashari u sulmua për herë të dytë nga forca të shumta policore serbe.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari përmes një postimi në facebook ka kujtuar ngjarjen historike ku sipas tij pas kësaj ngjarjeje, Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e kishte të qartë se forcat policore serbe herët a vonë do të ktheheshin përsëri në Prekaz.

Dhe, më 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti, historia do të ndryshojë përgjithmonë.

Ja postimi i plotë:

21 vite më parë Familja Jashari u sulmua për herë të dytë brenda pak muajsh, nga forca të shumta policore serbe, të pozicionuara në ish-Fabrikën e Municionit, pak metra larg shtëpive të familjes.
Edhe përkundër një aksioni policor që kishte ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 22 janarit të vitit 1998, në një sulm tinëzar, ku mbeten të plagosura vajza e Rifatit Iliriana dhe Hamzës, Selvetja, meshkujt e familjes por edhe anëtarët tjerë, iu kishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë krismave të armikut.
Pas kësaj ngjarjeje, Familja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e kishte të qartë se forcat policore serbe herët a vonë do të ktheheshin përsëri në Prekaz.
Dhe, më 5, 6 dhe 7 mars të po atij viti, historia do të ndryshojë përgjithmonë.
Pjesa tjetër e historisë është lavdia e popullit shqiptar.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Familjen Jashari, heronjtë dhe martirët e Kosovës!