Kandidati i PDK-së për deputet me numër 109, Bekim Haxhiu, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë se është ndërtuar mbi dhunë dhe se gjatë qeverisjes nuk ka sjellë projekte konkrete për qytetarët.

Përmes një postimi, Haxhiu ka deklaruar se Vetëvendosje ka dëmtuar qindra pjesëtarë të Policisë së Kosovës gjatë protestave të saj në opozitë.

“Vetëvendosje është parti e ndërtuar mbi dhunë. Mbi 240 policë të Kosovës i ka lënduar në protestat e saj të dhunshme”, ka shkruar ai.

Sipas Haxhiut, qeverisja gjashtëvjeçare e Vetëvendosjes nuk është shoqëruar me realizimin e projekteve të mëdha zhvillimore, por me krijimin e krizave të ndryshme në vend.

“Që 6 vite në pushtet nuk ka projekte të realizuara, por ka kriza të prodhuara ekonomike, sociale, institucionale dhe politike”, është shprehur kandidati i PDK-së.

Haxhiu, i cili garon me numrin 109 në listën e Partisë Demokratike të Kosovës, ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë aktuale, duke e konsideruar të nevojshëm ndryshimin politik dhe rikthimin e zhvillimit institucional në vend.