Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së me numrin 109, Bekim Haxhiu, është nderuar me çmimin “Anëtar Nderi” nga Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, në kuadër të shënimit të 10-vjetorit të themelimit të këtij institucioni profesional.
Haxhiu ka bërë të ditur se këtë vlerësim e ka pranuar me emocione dhe krenari, duke e cilësuar si një respekt të veçantë nga kolegët me të cilët ka ndarë vite pune dhe përkushtimi në zhvillimin e fizioterapisë në Kosovë.
“Ky vlerësim më bëri të ndihem i nderuar dhe i vlerësuar nga kolegët me të cilët kemi ndarë vite pune dhe përkushtimi për zhvillimin e fizioterapisë në Kosovë”, ka shkruar ai.
Sipas Haxhiut, rruga drejt themelimit, ngritjes dhe avancimit të profesionit të fizioterapisë ka qenë sfiduese, por sot ky sektor qëndron krahas vendeve evropiane.
Ai ka veçuar edhe organizimin e një ngjarjeje të rëndësishme ndërkombëtare nga Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës, e cila nga 13 deri më 15 maj 2026 ishte nikoqire e Mbledhjes së Përgjithshme të 15-të të Fizioterapisë Botërore për Rajonin e Evropës, me pjesëmarrjen e 34 shteteve evropiane.
Haxhiu e ka cilësuar këtë organizim si një sukses të madh për shëndetësinë dhe shtetin e Kosovës, ndërsa ka falënderuar kolegët për vlerësimin e dhënë.
“Ky çmim është motivim për të vazhduar punën për të kontribuar në ngritjen dhe avancimin e sistemit shëndetësor në Kosovë”, ka theksuar ai.
Bekim Haxhiu garon në zgjedhjet parlamentare në listën e PDK-së me numrin 109.







