Bekim Haxhiu kërkon që Kuvendi të mblidhet për pandeminë: Qeveria ka dështuar, t’i shpëtojmë qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar për situatën në të cilën është futur vendi në përballjen me pandeminë e COVID-19. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka dështuar në menaxhim. Me këtë ka thënë se Kuvendi “duhet të marrë përgjegjësinë që i takon me Kushtetutë, për t’i shpëtuar nga katastrofa shëndetësore qytetarët e Kosovës”.

Duke komentuar shifrat alarmante të ditëve të fundit, Haxhiu ka thënë se Qeveria e Kosovës ka treguar “papërgjegjësi totale”.

“Fatkeqësisht, përderisa Kosova po shkon drejt katastrofës shëndetësore, jemi pranë rrezikut që sistemi shëndetësor të kolapsojë totalisht. Duke parë paaftësinë dhe papërgjegjësinë e Qeverisë dhe të Presidentes, kërkoj nga Glauk Konjufca kryetar i Kuvendit të Kosovës që të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar për situatën me pandeminë në të cilën është futur vendi. Sistemi shëndetësor mund të kolapsoj dhe vendin mund ta shpëtojmë nga katastrofa shëndetësorë vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë për të mposhtur pandeminë. Qeveria ka dështuar në vaksinim dhe menaxhim të pandemisë, andaj Kuvendi duhet të marrë përgjegjësinë që i takon me Kushtetutë, për t’i shpëtuar nga katastrofa shëndetësore qytetarët e Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook të shtunën.

Me rritjen e shifrave të rasteve të reja ditëve të fundit, numri i rasteve aktive me COVID-19 ka kaluar në mbi 18 mijë, për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.

Ndërkaq, me ritëm të lartë po ec edhe procesi i vaksinimit. Deri tash janë administruar mbi 708 mijë doza.