Mungesa e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është shndërruar përsëri në temë diskutimi në mes pozitës dhe opozitës në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

Në mbledhjen e sotme të komisionit, ku u votua fushëveprimi i tij, nga deputetët e opozitës u tha se nuk është dashur të ndodhë copëtimi i Ministrisë së Punës, derisa deputetët e partive në pushtet deklaruan se duhet pritur rezultati i këtij vendimi të qeverisë.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu tha se asnjëherë nuk ka ndodhur një shkapërderdhje e tillë e Ministrisë së Punës, dhe nuk mund të kuptohet që kjo është bërë nga një parti me program të majtë, e cila fushatën politike e ka pasur të orientuar në çështjet sociale.

“Të shpërndahet, të shkapërderdhet dhe të shuhet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në praktikat qeverisëse por edhe parlamentare, deri sot nuk ka ndodhur, por është një praktikë e re. Uroj të jetë e suksesshme, sepse nëse është e suksesshme do të përfitojnë qytetarët, përndryshe, aq sa po shohim në terren, në kontakte edhe me punëtorët edhe ata të administratës së punës dhe mirëqenies sociale, edhe te agjensioneve të tjera që kanë funksionuar në kuadër të këtij mekanizmi, derisa të kuptojnë detyrat dhe përgjegjësitë dhe llogaridhëniet, do t’u kalojë shumë kohë, mund dhe punë. Ndoshta qeveria pasi ka qenë në Prevallë, e ka shqyrtuar këtë punë dhe mund të kthejnë Ministrinë edhe njëherë, me i bë prej 15 në 16, që nuk është ndonjë diskrecion i madh, sepse prej 12 i kanë bërë 15”, tha ai, raporton kp.

Ndërsa deputeti Fitim Uka nga Lëvizja Vetëvendosje tha se fokusi i këtij ndryshimi në qeveri duhet të jetë te përmbajtja.

“Zoti Haxhiu edhe herën e kaluar ka shtruar të njëjtën çështje, konsideron që politika e ministrive është jo e majtë, unë i kujtoj prapë që në esencë nuk do të duhej të jetë forma dhe numri, por fokusi krejt këtij ndryshimi në qeveri do të duhej të jetë të përmbajtja, kështu që po u rikujtoj prapë që qeveria ka pak kohë që është votuar dhe duhet t’i japim më shumë kohë e hapësirë për të parë eventualisht që nëse ky lloj i rokadës në ministri tregohet e suksesshme apo jo”, tha ai.

Vendimin e Qeverisë së re të Kosovës, që të ketë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, dhe jo Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk e përkrahu as kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj. Sipas saj, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale duhet të ishte ndër shtyllat e qeverisë.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të duhej të ishte ndër shtyllat e qeverisë së tanishme dhe të ardhshme në vendin tonë. Për shkak të ndjeshmërisë, nuk kemi arritur ta rritim mirëqenien e qytetarëve në nivel të duhur. Presim që të ketë sukses në këtë ndarje që është bërë, edhe pse mbetet për të dëshiruar”, tha ajo.

Ndërsa Labinotë Demi-Murtezi tha se duhet koncentruar në zhvillim ekonomik dhe jo të ngarkohet buxheti i shtetit me skema sociale.

“Mos ta paragjykojmë suksesin qysh në fillim të Qeverisë Kurti dhe të shpresojmë që nuk do të mbetet mëngë për asnjë të drejtë të veten qytetari i Republikës së Kosovës vetëm se nuk ekziston formulimi i një ministrie të caktuar, siç është ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Duhet të koncentrohemi në zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja pune dhe jo të ngarkojmë buxhetin e Kosovës në vazhdimësi me skema sociale”, tha ajo.

Në këtë mbledhje të komisionit u votua fushëveprimi I Komisionit për shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale i cili ndër të tjera përfshinë angazhimin për përcaktimin dhe përcjelljen e zbatimit të politikave për zhvillimin dhe funksionimin efikas të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale.