Behrami pas 16 vjetësh mund të kthehet në futbollin zviceran

Mesfushori Valon Behrami pritet që pas 16 vjetësh të kthehet në futbollin zviceran.

E përditshmja zvicerane “Blick” të mërkurën ka bërë të ditur se Behrami është pranë marrëveshjes me skuadrën elitare të Zvicrës, Sion.

Te Sioni kanë konfirmuar negociatat me Behramin, i cili nuk do ta shfrytëzojë opsionin e rinovimit të kontratës me Udinesen.

34-vjeçari aktualisht po rikuperohet nga lëndimi që e pësoi në muajin prill, por pritet të jetë i gatshëm për edicionin e ri. Behrami në vitin 2003 u largua nga futbolli zviceran, si pjesë e Luganos për të vazhduar karrierën që e dërgoi në Itali, Gjermani dhe Angli.

“Valoni është lojtar i madh, një luftëtar i vërtetë dhe për ekipin tonë do të ishte përforcim fantastik. Ka kohë që po bisedojmë me Behramin. Ai ka edhe një ofertë të madhe nga Katari, por dëshiron të qëndrojë pranë familjes dhe është mes Udineses e Sionit”, ka thënë presidenti i Sionit, Christian Constantin, duke shtuar se kthimi i Behramit në Zvicër do të ishte një plus i madh edhe për futbollin e këtij vendi.

Skuadra e Sionit në edicionin e fundit përfundoi në pozitën e tetë në kampionat dhe edicionin e ri po synon të sigurojë një vend që do t’ia garantojë pjesëmarrjen në garat evropiane.

“Me përvojën e Behramit, përfundimisht ekipi ynë do të kishte një fytyrë tjetër në edicionin e ri”, ka shtuar Constantin.

Behrami prej verës së vitit 2017 është pjesë e Udineses, tek i cili ekip në edicionin e fundit barti shiritin e kapitenit. Ai ka kontratë me Udinesen deri në fund të këtij muaji, por ka edhe opsionin e rinovimit të saj edhe për një vit.

Behrami karrierën si profesionist e nisi te Lugano në vitin 2002 për t’u larguar pas një viti drejt Genoas në Itali. Pas Genoas, karrierë ka bërë edhe te Verona, Lazio, West Ham Unitedi, Fiorentina, Napoli, Hamburgu e Watfordi.

Ai ka fituar një trofe, atë të Kupës së Italisë me fanellën e Napolit gjatë edicionit 2013/14. Prej vitit 2005 deri vitin e shkuar ishte reprezentues i Zvicrës, duke regjistruar 83 ndeshje.