Behgjet Pacolli bën edhe një reagim për “ata që po tentojnë t’ia njollosin emrin dhe nderin”

Kreu i AKR-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka bërë edhe një reagim, teksa flet për spekulimet dhe përmendjen e emrit të tij pas rastit tragjik të Liridona Ademajt, që dyshohet se u vra pas një organizimi nga burri i saj Naim Murseli.

Pacolli ka treguar për një bashkëbisedim me djalin e tij të vogël, Armanin, duke thënë se ai ka krahasuar ata që duan t’ua njollosin emrin dhe nderin e familjes me qentë endacakë, shkruan Express.

Pas kësaj, Pacolli thotë se i ka buzëqeshur djalit të tij dhe i ka thënë të mos ndikohet nga askush dhe që të respektojë dhe bëhet i mirë me të tjerët.

“Duke fluturuar mbi Evropë, djali im i vogël Armani (diku e kishte degjuar) me tha. “Babi ata që po flasin dhe duan të na njollosin emrin, a  janë  ata  si endacakët që lehin derisa ne  po fluturojmë mbi ta, ne  po fluturojmë shumë lart mbi ta”. Ai ketu e kishte fjalën për ata të cilet po tentojne te njollosin emrin e nderin e familjes tonë.Unë u buzëqesha dhe i thashë, mos u ndikoni  nga askush, vazhdoni të respektoni  dhe bëhuni te  mirë me të tjerët”, ka shkruar Pacolli.

Pesë ditë më parë, Pacolli kishte bërë edhe një reagim, duke paralajmëruar ballafaqim në Gjykatë me analistin politik nga Shqipëria, Arian Currit. Milioneri kosovar kishte thënë se për shkak të fjalëve që Curri ka thënë në emision televiziv kanë bërë që djali i vogël të bullizohet në shkollë.

“Pas një udhëtimi të gjatë, vura re një grumbull lajmesh dhe opinionesh të ndara kohët e fundit. Gjithashtu kam vënë re se disa individë, me qëllime të këqija, me shpifje dhe deklarata të pasakta të shfaqura në TV, tentuan të më shantazhojnë dhe të kontaminojnë emrin tim dhe të poshtërojnë integritetin e familjes sime.

Ju zoti Arjan Curri që nisët këtë akt të shëmtuar me shpifjet dhe gënjeshtrat tuaja nuk keni  të drejtë t’i shkaktoni vuajtje familjes sime, veçanërisht djalit tim të vogël, i cili tani është bërë objekt bullizmit të vazhdueshëm, nga miqtë e tij për shkak të deklaratave të juaja false dhe mashtruese,

Zotëri, une nuk ndaj vlerat tuaja, unë kam një familje me tradita të forta dhe do të punoj  për të ju sjellur para   përgjegjësisë për krejt këto vuejtje   që i shkaktuat fëmijëve dhe familjes sime”, kishte shkruar Pacolli.