Bajram Begaj

Begaj niset drejt Amerikës, kryeson delegacionin shqiptar në javën më të rëndësishme diplomatike të vitit për vendin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, është nisur drejt New York-ut mesditën e 17 shtatorit, ku do të kryesojë edhe delegacionin shtetëror shqiptar në punimet e Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Shqipëria, në këtë ngjarje ndër më madhoret për diplomacinë e vendit, mban edhe pozitën e Presidentit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku pritet të mbahen takime të veçanta, përfshi për luftën në Ukrainë, në të cilin do të jetë pjesëmarrës edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të të 193 vendeve anëtare të OKB-së, presidenti Begaj pritet të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në Debatin e Përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjithashtu, sipas agjendës zyrtare, ai do të marrë pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë Politik për Zhvillimin e Qëndrueshëm, i cili do të mbahet në New York, në vigjilje të Sesionit të 78-të të AP të OKB.

Edhe në këtë forum, Presidenti do të mbajë fjalën, në emër të Shqipërisë, në segmentin e dedikuar të Dialogut të Udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare  të vendeve të tjera,

Presidenti Begaj,  gjatë periudhës së qëndrimit ne New York, do të zhvilloje edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në SHBA.