Befason Pogba, fajëson Messin dhe Ronaldon për kritikat

Paul Pogba është kritikuar formën e tij dhe për faktin se ka shënuar vetëm 2 gola në 14 ndeshjet e fundit të luajtura me Manchester United në të gjitha kompeticionet. Pavarësisht 13 golave dhe 9 asisteve në këtë sezon të Premier League, kampioni i botës është parë si fajtori kryesor për vështirësitë e ekipit.

Shpresat e United për t’u kualifikuar në sezonin e ardhshëm të Champions League janë shuar fundjavën e kaluar pas barazimit 1-1 të marrë në fushën e Huddersfield, një ndeshje ku francezi ka bërë një paraqitje zhgënjyese.

Megjithatë, Pogba beson se pjesa më e madhe e kritikave që i bëhen atij janë të padrejta dhe se ecuria e jashtëzakonshme e Messi-t dhe Cristiano Ronaldo-s ka rritur presionin ndaj kolegëve të tyre. “Futbolli ka ndryshuar shumë”, ka thënë 26-vjeçari në një intervistë për revistën “Icon”.

“Unë jam rritur duke parë kampionë të mëdhenj dhe legjenda si: Del Piero, Figo, Totti dhe shumë të tjerë. Të gjithë kanë fituar, kanë qenë më të mirët në botë, por asnjëri prej tyre nuk shënonte më shumë se 20 gola në sezon. Tani duket se statistikat dhe shifrat janë parametri i vetëm i gjykimit. Kjo është një gjë e mirë nga njëra anë, sepse është pjesë e evoluimit të futbollit modern dhe i dëshirës për të luajtur më shumë me topin”.

“Gjithsesi, shpesh harrojmë sa e vështirë është të shënosh më shumë se 20 gola, edhe për lojtarët e mëdhenj. Ndoshta është më e vështirë në kohët e sotme, sepse diferencat mes skuadrave janë reduktuar, veçanërisht në kompeticionet e rëndësishme”.

“Messi dhe Ronaldo kanë treguar në vitet e fundit, me statistikat dhe shifrat e tyre, se janë përjashtimi që konfirmon rregullin. Nëse një sulmues shënon 10 ose 15 gola sot, ka shumë mundësi që t’i thonë se nuk është e mjaftueshme”.

“Nuk duhet të harroni se një lojtar si Pavel Nedved e ka fituar Topin e Artë edhe pse skuadra e tij nuk e fitoi Champions League, ose pa shënuar vetë shumë gola. Ai ishte thjesht më i miri në rolin e tij dhe u vlerësua për atë që ishte në gjendje të bënte në fushën e lojës”, ka thënë Pogba.